Serbia fshin fotografinë e këngëtares së Eurovisionit pas akuzave se mbështeti luftën e Rusisë në Ukrainë

Serbia fshin fotografinë e këngëtares së Eurovisionit pas akuzave se mbështeti luftën e Rusisë në Ukrainë

Showbiz April 28, 2022 - 00:19

Radiotelevizioni publik serb (RTS), është dorëzuar pas kritikave që erdhën pasi publikuan fotografi të këngëtares përfaqësuese në Eurovision, e të cilat u komentuan si mbështetje për Rusinë në luftën kundër Ukrainës.

Televizioni serb kishte publikuar fotografi zyrtare të këngëtares Konstrakta e cila përfaqëson Serbinë këtë vit në Eurovision, ndërsa ishte e ulur pranë dy tavolinave që kishin formën e “Z”, simbol ky që ndërlidhet me mbështetjen ruse ndaj pushtimit në Ukrainë.

RTS, sot ka njoftuar se ka fshirë fotografinë pas reagimeve të shumta, transmeton Zeri.info.

Një prej reagimeve të para në lidhje me këto fotografi, ishte bërë nga faqja “Eurovision Kosovo” në Twitter, e cila ka marrë qindra komente nga serbët të cilët kanë reaguar pas lidhjes që faqja nga Kosova, i ka bërë fotografive të këngëtares serbe me mbështetjen ndaj Rusisë.

“Është e qartë se komente të tilla të pahijshme nga individë kanë krijuar një atmosferë që nuk mund ta ndalojmë. Për këtë arsye, fotografia do të hiqet nga llogaria jonë zyrtare. Shihemi në Torino”, ka njoftuar faqja zyrtare e Televizionit serb RTS.

Eurovisioni këtë vit mbahet më 10,12 dhe 14 maj në Torino të Italisë, ku Serbia do të përfaqësohet nga këngëtarja Konstrakta me këngën “In Corpore Sano”, ndërsa Rusia është përjashtuar nga gara menjëherë pas fillimit të luftës në Ukrainë. /Zëri