Rreth 15 mijë nënshkrime për Kosovën në Netflix

Rreth 15 mijë nënshkrime për Kosovën në Netflix

Showbiz February 10, 2021 - 23:42

Kosova derisa feston 13-vjetorin e pavarësisë, vazhdon të përballet me probleme të njohjes ndërkombëtare, ku shumë platforma akoma nuk e njohin shtetin e ri.

Një ndër to është edhe "Netflix", ndaj të cilit ka nisur të nënshkruhet një peticion online pasi përdoruesit nga Kosova po hasin në vështirësi në përdorimin e kësaj platforme.

Për pak ditë në këtë peticion janë nënshkruar gati 15 mijë persona, përmes së cilës i bëhet thirrje "Netflix" ta shtojë dhe Kosovën si një shtet në shërbimin e saj streaming, transmeton Zeri.info.

“Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt 2008. Që atëherë, 98 vende të Kombeve të Bashkuara e kanë njohur Kosovën si një shtet të pavarur, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Propaganda nga Serbia për të ulur Kosovën në arenën ndërkombëtare vazhdon, veçanërisht në platformat kryesore online. Kjo duhet të ndryshojë. Serbia nuk ka juridiksion në Kosovë dhe institucionet e saj, dhe pavarësia jonë nuk mund të zhvlerësohet prej tyre. Netflix është një kompani amerikane, dhe meqenëse SHBA-ja e njeh Kosovën, a nuk duhet që Netflix ta shtojë dhe atë si një shtet në shërbimin e saj streaming?”, thuhet në kërkesen e peticionit e cila ka nisur nga Sovran Hoti.

Mbetet të shihet nëse peticioni do të arrijë të ketë efektin e tij që "Netflix" ta shtojë Kosovën në mesin e shteteve tjera./Zëri

Për ta nënshkruar peticionin kliko KETU