Elton John dhe Michael Caine bashkohen për t’i bindur britanikët se vaksina anti-COVID është e sigurt

Elton John dhe Michael Caine bashkohen për t’i bindur britanikët se vaksina anti-COVID është e sigurt

Showbiz February 10, 2021 - 18:27

Sir Elton John dhe Sir Michael Caine paraqiten në një reklamë me plotë humor të Shërbimit Kombëtar Shëndetësor britanik (NHS) duke inkurajuar njerëzit të marrin vaksinën kundër Covid-19.

Ylli i rokut dhe aktori, të cilët edhe janë vaksinuar kundër COVID-19, paraqiten sikur po bëjnë audicion për të luajtur rolin që do të sigurojë publikun se vaksinat janë të sigurta dhe efektive, shkruan “BBC”, transmeton ”Zeri.info”.

 

Më shumë se 12 milionë njerëz në Mbretërinë e Bashkuar janë vaksinuar me së paku një dozë vaksine. Aktualisht në Britani janë duke u përdorur dy vaksina të ndryshme, ndërsa edhe një e tretë është aprovuar.

Sir Elton, 73 vjeç, tha se donte të merrte pjesë në film “për të ndihmuar t’u tregojë njerëzve përfitimet e vaksinimit dhe si ndihmon në mbrojtjen e vetvetes dhe njerëzve që duam”. “Kështu që, shpresoj se të gjithë mund të bashkohemi dhe të bëjmë ç’është e mundur në luftën kundër kësaj sëmundjeje të mjerë”, shtoi ai.

Reklama është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të kundërshtuar cinizmin ose dyshimin ndaj shpërndarjes së vaksinave.

Në një deklarim më serioz, Sir Elton tha: “Sa më shumë njerëz në shoqëri që vaksinohen, aq më shumë shanse ka për të zhdukur pandeminë kombëtare Covid”. Ai më pas thekson se vaksinat “kanë kaluar të gjitha dhe kanë përmbushur standardet e nevojshme të sigurisë dhe cilësisë”./Zëri