Mbi 90% e australianëve dhe mbi 80% e britanikëve e duan Kosovën në “Eurovision”

Mbi 90% e australianëve dhe mbi 80% e britanikëve e duan Kosovën në “Eurovision”

Showbiz February 10, 2021 - 18:17

Ndonëse Kosova tash e disa vite është pjesë e shumë organizatave sportive e kulturore ndërkombëtare, dyert për festivalin evropian të këngës “Eurovision” vazhdojnë të mbesin të mbyllura për shtetin i cili edhe pak ditë feston përvjetorin e 13-të të pavarësisë.

Në një sondazh të huaj del se Kosova është në mesin e vendeve më të preferuara për të marrë pjesë në festivalin evropian.

Faqja aussievision.net ka pyetur se “Cilin nga këto shtete përkrahni të hyjnë në Eurovision” dhe përveç Kosovës, opsion ishin edhe shtetet si Kazakistani, Kanadaja, SHBA-ja, Kina. Mirëpo, vendi ynë është votuar si shteti më i preferuar i të huajve për të marrë pjesë në “Eurovision” me 86 %, transmeton Zeri.info

Pas Kosovës, me 84 % të votave është radhitur Kazakistani, 38% ishin për Kanadanë, 14% për Kinën dhe po aq për SHBA-në.

Sipas sondazhit, mbështetja për Kosovën ishte më e lartë në mesin e fansave të “Eurovisionit” nga Australia ku 90% prej tyre votuan për Kosovën, pastaj nga Britania e Madhe me 89% dhe pjesa tjetër e Evropës (pa Britaninë e Madhe) me 82%, transmeton Zeri.info.

Kosova ka tentuar disa herë të marrë pjesë në festivalin evropian të këngës, por kjo është bërë e pamundur pasi vendi ynë nuk është anëtare e ITU (Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit), organizatë kjo e cila kërkon fillimisht anëtarësim në OKB.

Deri tani Kosova ka pasur vetëm një paraqitje si shtet në kuadër të organizimeve që bën Unioni i Transmetuesve Evropian (EBU). Në vitin 2011, vendi ynë u prezantuar në “Eurovision Young Dancer” ku u përfaqësua nga balerina Tringa Hysa, ndërsa dy këngëtare nga Kosova kanë përfaqësuar Shqipërinë, Rona Nishliu (2012) dhe Lindita Halimi (2017) dhe Nevana Bozhoviq e cila ishte nga Mitrovica e Veriut ka përfaqësuar Serbinë (2019). /Zëri