Shakaja e Dua Lipës për dominim botëror që u bë realitet
“Si me shaka pata thënë, ‘Do të nis dominimin botëror, ky është plani im”, qesh Dua Lipa.
Por, duket se plani i pop-yllit për “dominim botëror” nuk ishte shaka. Albumi i saj debutues me emrin e saj u dëgjua më shumë se 7 miliardë herë në “Spotify”. Ai fitoi edhe dy çmime “Grammy”.
Javën e kaluar, 25-vjeçja u nominua edhe për 6 çmime tjera “Grammy”, për albumin e saj të dytë, “Future Nostalgia”, që u lansua pikërisht në kohën e masave izoluese nga koronavirusi.
E pyetur nga “CBSNews”, “Nxorët një album që është përplot hite vallëzuese. Megjithatë, shumë njerëz janë të ngujuar nëpër shtëpi gjatë pandemisë”.
“Shiko, asnjëherë s’më ka shkuar mendja të nxjerr album në kohëra të këtilla”, tha Lipa, “dhe do të gënjeja nëse do të thosha se s’kisha frikë që ta nxirrja [albumin]”, transmeton Zeri.info.
Në vend se të performonte live albumin e saj të ri siç ishte planifikuar, këngëtarja ka qenë kryesisht e mbyllur në shtëpi, sikurse shumica nga ne.
Pasi që pandemia ia shtyu turneun e saj botëror për herë të dytë, Lipa erdhi me gjënë t dytë më të mirë: duke u izoluar me një grup valltarësh e muzikantësh, duke ushtruar për një performancë virtuale që do të transmetohej live.
“U mblodhëm të gjithë në një ambient të sigurt”, tha ajo. “Dhe kjo është performanca që i afrohet më së shumti një performance të vërtetë aktualisht”.
Më shumë se pesë milionë njerëz e përcollën atë.
Lipa ka performuar që kur ka qenë fëmijë. Edhe emri i saj duket sikur është përzgjedhur për të qenë në krye të yjeve. Është në gjuhën shqipe. Prindërit e saj janë shqiptarë të Kosovës që ikën nga vendlindja e tyre e shkatërruar nga lufta në vitet e ’90-ta.
Lipa ka lindur në Angli, por familja është kthyer në Kosovë kur ajo ishte 11 vjeçe.
“Ndikim i luftës, është shkatërrues, dhe u lidha me rrënjët e mia dhe i kuptova gjërat në një mënyrë krejtësisht ndryshe”, tha ajo, transmeton Zeri.info.
Lipa në moshën 15-vjeçe ajo u kthye në Londër: “Thash, dua të bëj muzikë, por dua ta bëj në shkallë globale. Dua të kthehem atje ku ndodh gjithçka”.
Ajo i bindi prindërit e saj, Dukagjinin dhe Anesën, që ta lënë të shkojë e vetme, derisa ata qëndruan në Kosovë.
“Si shkoi ajo bisedë”, e pyet gazetarja e “CBSNews”.
“Ishte një bisedë pak a shumë njëdrejtimëshe”, tha Dukagjini.
“Edhe unë mendoj se ajo e ka planifikuar të tërën të ndodhë kështu”, tha Anesa. “Ishte fati i saj”.
Dua thotë: “Duket se jam shumë bindëse. Prindërit e mi më thoshin, ‘Çfarë po bën?’ Më thoshin, ‘A je e sigurt se kjo është ajo që dëshiron ta bësh?’ E unë u thash, ‘Po, do të vazhdoj ta bëjë këtë’”.
Në moshën 21 vjeçe, kënga “New Rules”, himn për fuqizimin e grave, ndihmoi Lipën që të katapultojë në famë:
“Natyrisht se ëndërroja që ajo këngë të ishte e suksesshme”, tha Lipa. “Por asnjëherë s’kam menduar se suksesi do të vinte me këngën e parë. Por erdhi vërtet, dhe i tejkaloi të gjitha parashikimet e mia”.
Por pastaj erdhi pritja për të jetuar me suksesin e hershëm: “Shumë njerëz, së paku në kokën time, më bën të ndihesha sikur nuk e meritoja atë apo diçka e tillë”, transmeton Zeri.info.
Ajo u pyet: “A ka qenë presioni më i madh në ty duke qenë grua e re, në veçanti”?
“100 për qind. Si artiste, veçanërisht në zhanrin e muzikës pop, njerëzit menjëherë mendojnë se jeni prodhim. Askush nuk beson se ju i shkruani vet këto këngë. Ne përballemi me shumë më shumë kritika rreth asaj, të themi, çfarë veshim, çfarë hamë, si duken performancat, si vallëzojmë, si këndojmë, nëse këndojmë”.
“Si e përballove këtë presion”, u pyet Lipa.
“Krijimi i albumit shërbeu si një formë shmangieje”, tha Lipa. “Vërtet doja të ngurtësohesha në këtë industri dhe t’u thosha njerëzve se nuk është thjesht vetëm një hit”.