Adriatik Kelmendi ia nis punës së re

Adriatik Kelmendi ia nis punës së re

Showbiz March 21, 2020 - 12:00

Adriatik Kelmendi ia ka nisur punës së re në Klan Kosova. Një ditë më parë, Kelmendi bëri një postim të gjatë ku shpjegoi rrugëtimin e tij në gazetari. Foli fjalë të mira për ish-shefat e tij dhe paralajmëroi punën e re.

Ndërkohë, Express ka shkruar javën e kaluar se autori i emisionit “Rubikon”, Adriatik Kelmendi, karrierën në gazetari pritet ta vazhdojë në Klan Kosova. Atje shkon në vend të Baton Haxhiut. Drejtori i ri i Klan Kosovës e ka braktisur kompaninë e Veton e Flaka Surroit për të shkuar te pronarët e rinj nga Peja. Tash shef i Kelemendit do të jetë Shkëlqim Devolli.

Sot, gazetari Adriatik Kelmendi, pronar i dy kompanive të marketingut “Kelmedia” dhe “ProCon Group L.L.C”, e ka zyrtarizuar kalimin nënë kompaninë e Shkëlqim Devollit.

Autori i emisionit “Rubikon” pasi ishte larguar nga pozita e Kryeredaktorit në KTV kishte vazhduar të mbante emisionin në këtë televizion si produksion i jashtëm.

Nuk ishte larguar nga KTV’ja pasi Kelmendi ka pasur afërsi me themeluesin e Kohës, Veton Surroin, i cili ka shkuar për t’u intervistuar në shumicën e herëve në “Rubikon”.

Gazetari i ardhur nga Peja në Prishtinë pritet të vazhdojë karrierën pikërisht te media që lidhet me biznesmenin dukagjinas, Shkëlqim Devollin, i cili ka në pronësi Klan Kosovën.

Kjo lëvizje e Kelmendit ka ardhur pasi Baton Haxhiu u largua nga Klan Kosova ku ka ushtruar pozitën e Drejtorit dhe themeluesit të televizionit.

Ende nuk është sqaruar deri në fund nëse largimi i Haxhiut lidhet me përfundimin e kontratës apo me faktin se drejtori i deridjeshme i televizionit kishte prishur punët me Vetëvendosjen, anëtarët e së cilës refuzojnë të shkojnë në Klan.

42-vjeçari nisi karrierën në gazetari në Koha Ditore. Në moshën 21 vjeçare ishte bërë redaktor i rubrikës së kulturës ndërsa dy vjet më vonë redaktor përgjegjës i gazetës. Shkollimin për gazetari e ka filluar në Tiranë. Një specializim e ka përfunduar në Britani të Madhe. Aktualisht është edhe ligjërues në një universitet privat.

Klan Kosova në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve figuron se është në pronësi të “Seine group”.

Image