Një tipar i trashëguar gjenetik mund të ulë rrezikun e skizofrenisë
Një variant gjenetik i trashëguar nga Neandertalët (paraardhësit e njeriut modern) mund të ulë rrezikun e zhvillimit të skizofrenisë me gati 10 për qind, sipas një studimi të ri.
Neandertalët ishin të afërm evolucionarë të njerëzve modernë, të cilët u zhdukën rreth 40 mijë vjet më parë. Për shkak të ndërthurjes mes dy popullatave, njerëzit modernë me prejardhje jashtë Afrikës kanë trashëguar rreth 1 deri në 4 për qind të ADN-së së Neandertalëve.Studimi, i publikuar në revistën shkencore “Proceedings of the National Academy of Sciences”, zbuloi se ky variant gjenetik ndikon në lobin okcipital, pjesën e trurit që ndodhet në pjesën e pasme të kokës dhe që përpunon informacionin pamor. Ky rajon luan rol në shikim, krijimin e imazheve mendore dhe lexim.
Sipas studiuesve, personat që bartin këtë variant kanë lob okcipital më të vogël, me një reduktim prej rreth 0.85 centimetra kub për secilën kopje të variantit, shkruan Euronews transmeton Gazeta Shneta.
Te personat që kanë dy kopje të këtij varianti, rreziku i skizofrenisë është gati 10 për qind më i ulët. Megjithatë, studiuesit nuk gjetën lidhje të rëndësishme me inteligjencën apo çrregullime të tjera madhore psikiatrike.
Gjenetistët evolucionarë Hugo Zeberg dhe Svante Pääbo theksuan se madhësia e një rajoni të trurit nuk duhet të barazohet me aftësitë njohëse.
Dy studiuesit kanë identifikuar edhe më parë ndikimin e trashëgimisë gjenetike të Neandertalëve në shëndetin e njeriut. Ata zbuluan se një grup gjenesh të trashëguara prej tyre mund të rrisë rrezikun për COVID-19 të rëndë, ndërsa një variant i njëjtë është lidhur me mbrojtje më të madhe ndaj HIV-it.
Megjithatë, efekti mbrojtës ndaj skizofrenisë duket se lidhet vetëm me variantin e ri gjenetik të identifikuar në këtë studim.