Ushqyerja dhe koha e vakteve mund të ndikojnë në rrezikun e demencës
Më shumë se 57 milionë njerëz në mbarë botën jetojnë me demencë, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH). Sëmundja e Alzheimerit, forma më e zakonshme e demencës, përbën rreth 60–70% të rasteve. Sipas OBSH-së, deri në 45% e faktorëve të rrezikut për demencën mund të ndryshohen ose parandalohen.
Studime të fundit kanë nxjerrë në pah disa faktorë që mund të ndikojnë në shëndetin e trurit gjatë gjithë jetës.Shmangia e tre faktorëve në moshën e mesme mund të shtojë 13 vite pa demencë
Një studim me 12,409 pjesëmarrës, të ndjekur për një periudhë mesatare prej 26.3 vitesh, zbuloi se personat që nuk kishin diabet, hipertension ose histori të duhanpirjes kishin rrezikun më të ulët për të zhvilluar demencë. Ata që i kishin të tre këta faktorë kishin 2.69 herë më shumë gjasa për të zhvilluar sëmundjen.
Megjithatë, studiuesit theksojnë se studimi ishte vëzhgues dhe nuk mund të provojë se shmangia e këtyre faktorëve do t’i sigurojë çdo personi saktësisht 13 vite pa demencë, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Më pak sheqer në 1,000 ditët e para të jetës
Një tjetër studim sugjeron se kufizimi i ekspozimit ndaj sheqerit gjatë 1,000 ditëve të para të jetës mund të lidhet me rrezik më të ulët për Alzheimer dhe demencë. Në analizën e më shumë se 60 mijë pjesëmarrësve të “UK Biobank”, ata që kishin përjetuar kufizim të sheqerit në fëmijërinë e hershme kishin 46% më pak rrezik për Alzheimer dhe 27% më pak rrezik për demencë nga çdo shkak.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se këto rezultate nuk duhet të interpretohen si provë përfundimtare, pasi numri i rasteve të Alzheimerit ishte relativisht i vogël dhe pjesëmarrësit ende nuk kishin arritur moshat kur sëmundja shfaqet më shpesh.
Edhe koha e ushqyerjes mund të ketë rëndësi
Një hulumtim me 47 gra të moshës 50–79 vjeç zbuloi se ushqyerja brenda një dritareje 8–9-orëshe lidhej me përmirësime në kujtesë, të nxënë dhe zgjidhjen e problemeve pas gjashtë muajsh.
Ekspertët theksojnë se këto gjetje janë paraprake dhe nuk tregojnë se ushqyerja me kohë të kufizuar parandalon demencën apo trajton Alzheimerin. Megjithatë, ato sugjerojnë se jo vetëm çfarë dhe sa hamë, por edhe kur hamë, mund të jetë i rëndësishëm për shëndetin e trurit. /Gazeta Shneta