Si të ushqeheni në mënyrë të sigurt gjatë shtatzënisë
Gjatë shtatzënisë, ndryshimet në sistemin imunitar mund ta bëjnë organizmin më të ndjeshëm ndaj disa infeksioneve. Për këtë arsye, disa ushqime duhen shmangur ose konsumuar vetëm pasi të jenë përgatitur siç duhet, pasi mund të përmbajnë baktere ose substanca që mund të dëmtojnë nënën dhe foshnjën.
Për të ulur rrezikun e infeksioneve ushqimore, është e rëndësishme të lani duart para përgatitjes dhe konsumimit të ushqimit, të pastroni sipërfaqet dhe enët e kuzhinës, t’i lani mirë frutat dhe perimet, të ruani ushqimet në temperaturën e duhur dhe të mos konsumoni produkte të skaduara ose me myk.
Shmangni djathrat e butë si feta, ricotta dhe djathrat me myk, nëse nuk janë të pasterizuar ose nuk janë gatuar mirë. Këto produkte mund të përmbajnë bakterin Listeria, i cili mund të shkaktojë komplikacione gjatë shtatzënisë. Nëse djathi është gatuar derisa të jetë shumë i nxehtë, rreziku zvogëlohet. Për akulloret, preferoni produkte të paketuara dhe të ruajtura siç duhet.
Mos konsumoni vezë të gjalla ose të papjekura dhe ushqime që përmbajnë vezë të tilla, si majoneza e bërë në shtëpi dhe brumi i papjekur. Zgjidhni vezë të gatuara mirë dhe shmangni vezët me guaskë të çarë ose të ndotur.
Poashtu, shmangni peshkun dhe prodhimet e detit të papërpunuara ose të papjekura, përfshirë sushi dhe guackat e detit. Peshku i gatuar mund të jetë pjesë e një diete të shëndetshme gjatë shtatzënisë, duke respektuar udhëzimet lokale për llojet dhe sasinë e rekomanduar.
Kushtojini kujdes të veçantë edhe sallatave dhe produkteve të gatshme për konsum, të cilat duhet të ruhen dhe të trajtohen sipas udhëzimeve.
Mos konsumoni mish të gjallë ose të papjekur mirë. Mishi duhet të gatuhet plotësisht dhe të mos ketë pjesë të pagatuara në brendësi. Kini kujdes edhe me produkte të ftohta të përpunuara, si sallami, proshuta e thare, të cilat mund të jenë të rrezikshme nëse konsumohen të pagatuara.
Në përgjithësi, zgjidhni produkte të pasterizuara, mish dhe peshk të gatuar mirë, vezë të pjekura plotësisht, djathëra të fortë dhe fruta e perime të lara mirë. Ushqimet e gatuara duhet të ruhen në mënyrë të sigurt dhe të mos lihen për një kohë të gjatë në temperaturën e dhomës.
Gjatë shtatzënisë rekomandohet të mos konsumohet alkool. Alkooli kalon përmes placentës te fetusi dhe mund të shkaktojë çrregullime të spektrit të alkoolit te fetusi, si dhe të rrisë rrezikun për komplikacione të shtatzënisë.Poashtu, konsumoni kafeinë me masë dhe ndiqni kufirin e rekomanduar nga mjeku ose udhëzimet shëndetësore. Mos harroni se kafeina gjendet jo vetëm në kafe, por edhe në çaj, pije energjike, çokollatë dhe disa barna.
Nëse keni paqartësi për një ushqim të caktuar gjatë shtatzënisë, këshillohuni me gjinekologun, maminë ose një profesionist të ushqyerjes. /Gazeta Shneta