A shkakton kancer vaji i palmës?, ja çfarë thonë studimet shkencore

A shkakton kancer vaji i palmës?, ja çfarë thonë studimet shkencore

Shëndetësi August 10, 2026 - 15:36

Vaji i palmës është një nga vajrat bimore më të përdorura në industrinë ushqimore dhe gjendet në një numër të madh produktesh, nga biskotat dhe çokollatat deri te margarina, ushqimet e gatshme dhe produktet e pjekura. Por sa i rrezikshëm është ai për shëndetin?

Në një postim nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës thuhet se përgjigjja shkencore është më komplekse sesa pretendimi se “vaji i palmës shkakton kancer”. Vetë vaji i palmës nuk klasifikohet si substancë kancerogjene. Shqetësimet lidhen kryesisht me përmbajtjen e tij të yndyrave të ngopura, konsumimin e shpeshtë të ushqimeve ultra të përpunuara dhe disa ndotës që mund të krijohen gjatë procesit të rafinimit.

Vaji i palmës përmban rreth 50 për qind yndyra të ngopura, kryesisht acid palmitik. Konsumimi i lartë i yndyrave të ngopura mund të rrisë nivelin e kolesterolit LDL dhe, në varësi të modelit të përgjithshëm ushqimor, të kontribuojë në rritjen e rrezikut për sëmundje kardiovaskulare.

Megjithatë, nuk është e saktë të thuhet se çdo produkt që përmban vaj palme është automatikisht i dëmshëm. Rëndësi ka sasia e konsumuar, shpeshtësia dhe ushqimi në të cilin gjendet vaji.

Një tjetër shqetësim lidhet me procesin e rafinimit. Në temperatura të larta mund të formohen ndotës si glycidyl esters (GE), 3-MCPD esters dhe 2-MCPD esters. Në organizëm, glycidyl esteret mund të çlirojnë glycidol, i cili është klasifikuar nga IARC si “ndoshta kancerogjen për njerëzit” (Grupi 2A).

Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të bëhet dallimi mes vajit të palmës dhe ndotësve që mund të krijohen gjatë përpunimit të tij.

Nuk ka bazë të mjaftueshme për titullin “Vaji i palmës shkakton kancer”.

Shqetësimi shkencor lidhet me ekspozimin ndaj disa substancave të krijuara gjatë rafinimit, veçanërisht glycidyl esters dhe jo me faktin se vaji i palmës në vetvete është klasifikuar si kancerogjen.

Për këtë arsye, institucionet e sigurisë ushqimore kanë vendosur kufizime për këta ndotës në vajrat ushqimorë dhe veçanërisht në produktet e destinuara për foshnja.

Vëmendje më e madhe ndaj konsumit të ushqimeve të pasura me yndyra të ngopura duhet t'u kushtohet personave me faktorë rreziku për sëmundje kardiovaskulare, duke përfshirë ata me kolesterol të lartë, diabet tip 2, obezitet ose sindromë metabolike.

Gjithashtu, ekspozimi ndaj disa ndotësve të procesit të rafinimit është veçanërisht i rëndësishëm te foshnjat dhe fëmijët e vegjël, për shkak të konsumit më të lartë të ushqimit në raport me peshën trupore.

Jo domosdoshmërisht.

Qasja më e arsyeshme nga pikëpamja e shëndetit publik është kufizimi i konsumit të ushqimeve ultra të përpunuara dhe i ushqimeve të pasura me yndyra të ngopura, në vend të frikësimit të konsumatorëve nga vetë vaji i palmës.

Kur është e mundur, yndyrat e ngopura mund të zëvendësohen me burime të yndyrave të pangopura, si vaji i ullirit, kanola dhe vajra të tjerë të pasur me yndyra mono dhe poli të pangopura.

Në fund, mesazhi kryesor është i thjeshtë: vaji i palmës nuk është “helm” dhe nuk klasifikohet si kancerogjen, por konsumimi i shpeshtë i ushqimeve ultra të përpunuara që e përmbajnë mund të jetë pjesë e një modeli ushqimor që rrit rrezikun për probleme kardiovaskulare dhe metabolike. Ndërkohë, kontrolli i ndotësve të krijuar gjatë rafinimit mbetet një çështje e rëndësishme e sigurisë ushqimore. /Zëri