Vaksina për parandalimin e kancerit të pankreasit, rezultatet premtuese
Një vaksinë eksperimentale që synon parandalimin e kancerit të pankreasit ka dhënë rezultate inkurajuese në provat e para klinike te njerëzit.
Studimi, i publikuar në revistën shkencore Cancer Discovery, tregon se vaksina mKras-Vax është dëshmuar e sigurt dhe ka nxitur një përgjigje të fortë imunitare tek personat me rrezik të lartë për zhvillimin e kësaj sëmundjeje.
Hulumtimi është realizuar nga shkencëtarët e Johns Hopkins Kimmel Cancer Center dhe Skip Viragh Center for Pancreatic Cancer në Shtetet e Bashkuara.
Vaksina synon mutacionin KRAS, një nga ndryshimet gjenetike më të shpeshta që lidhet me zhvillimin e adenokarcinomës duktale të pankreasit – forma më e zakonshme dhe më agresive e kancerit të pankreasit. Qëllimi është që sistemi imunitar të njohë dhe të eliminojë qelizat me këtë mutacion përpara se ato të shndërrohen në tumor.
Në studimin e fazës së parë morën pjesë 20 persona me predispozitë trashëgimore për kancer të pankreasit dhe me ndryshime të identifikuara në pankreas përmes ekzaminimeve radiologjike. Pjesëmarrësit morën katër doza të vaksinës gjatë 13 javëve.
Sipas rezultateve, 18 nga 20 pjesëmarrësit, ose 90 për qind, zhvilluan një përgjigje të konsiderueshme imunitare. Gjatë një periudhe mesatare përcjelljeje prej 16.5 muajsh, asnjë prej tyre nuk zhvilloi kancer të pankreasit, ndërsa te disa pacientë u vu re zvogëlim ose zhdukje e plotë e cistave pankreatike.
Studiuesit raportojnë se vaksina ka krijuar qeliza të kujtesës imunitare që kanë mbetur aktive deri në dy vjet pas vaksinimit, duke sugjeruar një mbrojtje afatgjatë.
Efektet anësore të raportuara kanë qenë kryesisht të lehta deri mesatare, përfshirë skuqje në vendin e injektimit, lodhje, të dridhura dhe simptoma të ngjashme me gripin, të cilat janë larguar pa trajtim.
Megjithatë, autorët theksojnë se studimi kishte për qëllim kryesisht vlerësimin e sigurisë dhe të përgjigjes imunitare, jo provimin përfundimtar të efektivitetit në parandalimin e kancerit. Numri i vogël i pjesëmarrësve dhe periudha relativisht e shkurtër e ndjekjes nuk lejojnë ende përfundime të plota.
Shkencëtarët kanë nisur tashmë studime të tjera klinike për të vlerësuar më tej ndikimin e vaksinës te pacientët me cista pankreatike me rrezik të lartë, me shpresën se kjo qasje mund të shndërrohet në një strategji të re për parandalimin e një prej formave më vdekjeprurëse të kancerit, shkruan RTK.
Ekspertët e përfshirë në studim e cilësojnë këtë si një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit të vaksinave parandaluese kundër kancerit, por theksojnë se nevojiten prova më të mëdha klinike për të konfirmuar efektivitetin e saj.