Inteligjenca artificiale parashikon rrezikun e kancerit të mëlçisë me saktësi të lartë
Një studim i ri tregon se një model i bazuar në inteligjencë artificiale mund të parashikojë me saktësi rrezikun për kancer të mëlçisë, konkretisht karcinomën hepatocelulare (HCC). Studimi është publikuar në revistën shkencore “Cancer Discovery”.
Modeli përdor të dhëna rutinë klinike dhe ka treguar performancë më të mirë se mjetet ekzistuese, duke identifikuar më shumë raste reale dhe duke reduktuar alarmet e rreme.
Kanceri i mëlçisë është ndër shkaqet kryesore të vdekjeve nga kanceri, ndërsa HCC është forma më e zakonshme tek të rriturit.
Kjo gjendje shfaqet shpesh tek personat me sëmundje kronike të mëlçisë, si hepatiti apo cirroza, por rreth 20% e rasteve ndodhin edhe tek individë pa histori të tillë, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Diagnostikimi i hershëm mbetet sfidë, pasi sëmundja shpesh nuk shfaq simptoma në fazat fillestare dhe programet aktuale të kontrollit fokusohen kryesisht te pacientët me sëmundje ekzistuese të mëlçisë.
Për të adresuar këtë problem, studiuesit nga RWTH Aachen University, të udhëhequr nga Carolin Schneider, përdorën të dhëna nga ‘UK Biobank’ dhe programi ‘All of Us’, duke analizuar mbi 900,000 individë.
Rezultatet tregojnë se ky mjet mund të ndihmojë në identifikimin e hershëm të personave në rrezik, edhe atyre pa diagnozë të mëparshme, duke përmirësuar mundësitë për trajtim dhe mbijetesë.