Kripa e tepërt me natrium rrit rrezikun e sëmundjeve të zemrës

Kripa e tepërt me natrium rrit rrezikun e sëmundjeve të zemrës

Shëndetësi March 26, 2026 - 10:42

Çdo vit, në mbarë botën, rreth 8 milionë vdekje lidhen me dietën e pashëndetëshme, ku 1.9 milion i atribuohen konsumit të lartë të natriumit, ku kripa e zakonshme është burimi më I madh I marrjes së tij.

Sipas OBSH-së, marrja e natriumit duhet të jetë nën 2 gramë në ditë. Megjithatë, konsumi mesatar global është mbi 4.3 gramë, më shumë se dyfish i rekomandimit, duke kërkuar masa të menjëhershme.

Ekspertët thonë se ulja e sasisë së natriumit në dietë është një nga strategjitë më efektive për të parandaluar sëmundjet kardiovaskulare dhe kronike të veshkave, duke ndihmuar gjithashtu në uljen e tensionit të gjakut.

Edhe në Shqipëri, sëmundjet kardiovaskulare dhe hipertensioni mbeten ndër shkaqet kryesore të vdekjeve. Sipas INSTAT, pothuajse 80% e vdekjeve lidhen me sëmundjet jo të transmetueshme, ku ato të aparatit të qarkullimit përbëjnë mbi gjysmën e totalit.

Studimet tregojnë se reduktimi i kripës, përmes përdorimit të kripërave me përmbajtje më të ulët natriumi ndikon në uljen e tensionit. Kjo lidhet gjithashtu me ulje të riskut për goditje në tru me afro 20 raste më pak për 100,000 persona, sindromë akute koronare me 150 raste më pak për 100,000, dhe vdekje nga sëmundjet kardiovaskulare 180 raste më pak për 100,000.

Ekspertët rekomandojnë zëvendësimin e kripës së zakonshme me alternativa të pasura me kalium, duke e bërë uljen e natriumit një hap të rëndësishëm në përmirësimin e shëndetit publik dhe reduktimin e barrës së sëmundjeve kardiovaskulare në popullatë. /euronews.al