Shëndeti oral i dobët mund të sinjalizojë sëmundje kronike

Shëndeti oral i dobët mund të sinjalizojë sëmundje kronike

Shëndetësi March 26, 2026 - 08:29

Shëndeti i dobët oral mund të jetë një tregues i hershëm i sëmundjeve kronike si diabeti i tipit 2, sëmundjet e zemrës dhe problemet me veshkat, sipas një studimi të publikuar në “Journal of Oral Rehabilitation”.

Studiuesit nga Universiteti Shëndetësor Fujita në Japoni vërejtën se personat me mungesë dhëmbësh dhe vështirësi në përtypje apo shqiptim kishin më shumë gjasa të kishin nivel të lartë të sheqerit në gjak, kolesterol të lartë dhe funksion të dobësuar të veshkave, shkruan burimi HealthDay transmeton Gazeta Shneta.

Në studim u përfshinë 118 persona mbi moshën 50 vjeç. Ekzaminimet dentare dhe fizike u krahasuan gjatë viteve 2021–2023.

Gjetjet treguan se ata me nivele të larta të sheqerit në gjak kishin më pak dhëmbë funksionalë dhe rezultate më të dobëta në testin OD (matje e shpejtësisë dhe saktësisë së shqiptimit).

Personat me kolesterol të lartë kishin më shpesh gjuhë të mbuluar me një shtresë të bardhë të theksuar, ndërsa pacientët me probleme renale shfaqnin një kombinim të këtyre shenjave.

Hulumtuesit theksojnë se, megjithëse studimi nuk provon një lidhje shkak-pasojë, rezultatet ngrenë dyshime se inflamacioni dhe bakteret në gojë mund të ndikojnë në zhvillimin e sëmundjeve sistemike. Po ashtu, sëmundjet kronike mund ta përkeqësojnë gjendjen orale.

Ata rekomandojnë përfshirjen e numrit të dhëmbëve dhe testit OD në kontrollet rutinë mjekësore, si një mënyrë për të zbuluar sëmundje të fshehura në faza të hershme.