Studim: Gratë mbijetojnë më shumë nga kanceri, por përballen me më shumë efekte anësore
Gratë kanë më shumë gjasa të mbijetojnë nga kanceri krahasuar me burrat, por njëkohësisht përballen më shpesh me efekte të rënda anësore nga trajtimi, tregon një studim i publikuar në Journal of the National Cancer Institute.
Sipas analizës, pacientet femra kanë rreth 21 për qind më pak rrezik për vdekje nga 12 lloje të ndryshme të kancerit në faza të avancuara.
Megjithatë, ato kanë 12 për qind më shumë gjasa të përjetojnë efekte anësore serioze nga trajtimet si kimioterapia dhe radioterapia.
Studimi është bazuar në të dhënat e mbi 20 mijë pacientëve nga 39 prova klinike, që përfshijnë lloje të ndryshme tumoresh, përfshirë kancerin e mushkërive, zorrës së trashë, melanomën dhe kancerin e gjirit.
Sipas studiuesve, dallimet lidhen me faktorë biologjikë si sistemi imunitar, metabolizmi i barnave dhe karakteristikat e vetë tumorit, të cilat ndryshojnë mes grave dhe burrave.
Autorët theksojnë se gjinia duhet të merret më seriozisht në planifikimin e trajtimit të kancerit, pasi aktualisht shpesh nuk konsiderohet sa duhet në vendimet klinike.
“Gratë jetojnë më gjatë, por me më shumë efekte anësore. Kjo duhet të merret parasysh për të përmirësuar trajtimin për çdo pacient”, thuhet në përfundimet e studimit.
Studiuesit bëjnë thirrje që trajtimet e kancerit të personalizohen më shumë, duke marrë parasysh dallimet biologjike mes pacientëve, në mënyrë që të përmirësohen rezultatet dhe të reduktohen komplikimet./gazeta shneta