Studimi i ri sfidon teorinë tradicionale për Alzheimerin

Studimi i ri sfidon teorinë tradicionale për Alzheimerin

Shëndetësi March 09, 2026 - 10:38

Sëmundja e Alzheimerit është konsideruar për dekada si një çrregullim që nis drejtpërdrejt në tru. Por, një studim i ri sugjeron se procesi i kësaj sëmundjeje mund të fillojë shumë më herët dhe në pjesë të tjera të trupit, shkruan “Il Messaggero”.

Sipas një analize të thelluar gjenomike, Alzheimeri mund të shkaktohet fillimisht nga inflamacioni në organe të tjera, si lëkura, mushkëritë ose zorrët.

Simptomat e para mund të shfaqen edhe dhjetëra vjet para se të nisë përkeqësimi i kujtesës.

Studiuesit thonë se kjo qasje e re mund të shpjegojë pse shumë nga trajtimet aktuale për Alzheimerin nuk kanë qenë shumë efektive.

Sipas tyre, shumica e barnave veprojnë vetëm kur sëmundja tashmë është zhvilluar në tru, pra shumë vonë në procesin e saj.

Studimi u drejtua nga studiuesi Cesar Cunha, nga Qendra e Fondacionit Novo Nordisk për Kërkime Bazë Metabolike, në Danimarkë.

Ai dhe ekipi i tij analizuan të dhënat gjenetike të më shumë se 85 mijë personave me Alzheimer dhe 485 mijë personave të shëndetshëm, të mbledhura nga Biobanka Evropiane e Alzheimerit dhe Demencës.

Përveç kësaj, studiuesit analizuan aktivitetin gjenetik në rreth 5 milionë qeliza individuale, të marra nga 40 zona të ndryshme të trupit dhe 100 rajone të trurit.

Gjatë analizës, ata shqyrtuan rreth 1000 gjene që dihet se lidhen me një rrezik më të lartë për shfaqjen e Alzheimerit.

Rezultatet ishin të papritura: këto gjene rezultuan shumë më pak aktive në tru sesa në organe të tjera si lëkura, mushkëritë, sistemi tretës dhe shpretka, si edhe në disa lloje qelizash imunitare që qarkullojnë në gjak.

“Vazhdimisht shikoja grafikun dhe më dukej sikur kishte një gabim, sepse shprehja e këtyre gjeneve në qelizat e trurit ishte jashtëzakonisht e ulët”, shpjegoi Cunha.

“Por pasi bëmë analiza të shumta, kuptuam se shumica prej tyre, në fakt nuk ndodhen në tru, por në pjesë të tjera të trupit”, shtoi ai.

Sipas studiuesve, kjo mund të nënkuptojë se sëmundja e Alzheimerit mund të nisë nga inflamacioni në organet periferike, pra jashtë trurit, dhe më pas të përhapet gradualisht drejt sistemit nervor.

Disa variante gjenetike mund të ndikojnë në nivelin e këtij inflamacioni dhe në mënyrën se si ai përhapet drejt trurit, duke luajtur kështu një rol kyç në zhvillimin e sëmundjes.

Studiuesit theksojnë se nëse kjo teori konfirmohet nga kërkime të tjera, ajo mund të ndryshojë rrënjësisht mënyrën se si diagnostikohet dhe trajtohet Alzheimeri, duke u fokusuar më shumë te proceset inflamatore në të gjithë trupin dhe jo vetëm në tru. /atsh