IKSHPK-ja me këshilla se si të kujdesemi për shëndetin gjatë muajit të Ramazanit
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) apelon për kujdes të veçantë gjatë muajit të Ramazanit, pasi ndryshimet në oraret e ushqyerjes dhe të jetesës ndikojnë drejtpërdrejt në metabolizëm, hidratim, ritmin e gjumit dhe aktivitetin fizik.
Ushqyerja e shëndetshme dhe hidrimi
Pini mjaftueshëm ujë gjatë natës dhe konsumoni ushqime të lëngshme si supë, gjellë dhe sallatë.
Shmangni pijet me kafeinë dhe ato të gazuara me sheqer për të parandaluar dehidratimin dhe marrjen e kalorive të tepërta.
Iftari:
Filloni me hurma dhe ujë.
Përfshini perime, drithëra integrale dhe proteina si pulë, mish pa yndyrë ose peshk.
Kufizoni ushqimet e skuqura, të yndyrshme dhe të përpunuara.
Hani ngadalë për të shmangur tejngopjen.
Syfyri:
Zgjidhni një vakt të lehtë me perime, bukë integrale, produkte bulmeti ose vezë dhe yndyrna të shëndetshme si avokado.
Shmangni ëmbëlsirat, kripën dhe brumërat me yndyrë; për ëmbëlsirë zgjidhni fruta sezonale.
Syfyri nuk duhet të anashkalohet, pasi mungesa e ushqimit gjatë natës mund të ulë nivelin e sheqerit në gjak, duke reduktuar energjinë dhe produktivitetin.
Mënyra të shëndetshme gatimi
Preferoni avullimin, pjekjen ose gatimin me pak vaj.
Ulni sasinë e kripës duke përdorur erëza për shije dhe duke hequr kriporen nga tavolina.
Aktiviteti fizik
Qëndroni aktivë në mbrëmje; një ecje e rregullt ndihmon në kontrollin e peshës dhe ruajtjen e shëndetit.
Konsultimi me profesionistë
Bisedoni me mjekun ose farmacistin para se të ndryshoni regjimin e ilaçeve gjatë Ramazanit.
Rekomandime për personat me gjendje shëndetësore të veçantë
Personat me diabet:
Diabeti i tipit 1 mund të çojë në komplikime serioze si ulje ose rritje të sheqerit në gjak, dehidratim dhe ketoacidozë diabetike. Agjërimi zakonisht nuk rekomandohet për këta persona.
Personat me diabet të tipit 2 dhe hipertension, të cilët kanë gjendjen nën kontroll, mund të agjërojnë, por vendimi duhet të merret individualisht dhe gjithmonë në konsultim me profesionistët shëndetësorë.
Shtatzënia dhe gjidhënia:
Nënat shtatzëna ose ato që ushqejnë me gji mund të konsiderojnë agjërimin vetëm pas vlerësimit individual të shëndetit dhe pas konsultimit me profesionistë, për të shmangur rreziqet për nënën dhe foshnjën.