Burrat mund të zhvillojnë sëmundje kardiovaskulare më herët se gratë
Një studim i ri shqyrton ndryshimet në rrezikun e sëmundjeve të zemrës midis burrave dhe grave, duke treguar se burrat përballen me një rrezik të shtuar shumë më herët se sa pritej.
Studimi, i publikuar në “Journal of the American Heart Association”, tregon se 5% e burrave zhvillojnë sëmundje kardiovaskulare rreth shtatë vjet më herët se gratë. Konkretisht, kjo shifër arrihet te burrat në moshën 50.5 vjeç, ndërsa gratë nuk e arrijnë deri në 57.5 vjeç. Divergjenca fillon që nga mosha 35 vjeç, sipas burimit Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.
Autorët sugjerojnë që dekada e tretë e jetës të jetë periudha e duhur për “screening dhe detektim më intensiv” te burrat.
Studiuesit kanë vërejtur prej kohësh se burrat preken nga sëmundja koronare e zemrës rreth 10 vjet më herët se gratë, por ka pasur pak hulumtime mbi dallimet gjinore në sëmundje të tjera të zemrës, si dështimi i zemrës apo goditjet në tru.
Për të kuptuar ndikimin e ndryshimeve të stilit të jetës, studiuesit përdorën të dhënat nga studimi “CARDIA (Coronary Artery Risk Development in Young Adults)”, ku 5,112 pjesëmarrës të moshës 18–30 vjeç u ndoqën për mbi 30 vjet.
Objektivat përfshinin: analizimin e dallimeve gjinore në moshën e shfaqjes së sëmundjeve kardiovaskulare të hershme (nën 65 vjeç), vlerësimin e normave të ngjarjeve kardiovaskulare në dhjetë vitet e para të jetës adulte për burrat dhe gratë, dhe shqyrtimin nëse faktorë si duhanpirja ose aktiviteti fizik ndikojnë në këto dallime.
Gjetjet nënvizojnë rëndësinë e ndërhyrjeve të hershme te burrat për parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare dhe theksojnë se edhe ndryshimet e stilit të jetës mund të ndikojnë në diferencat gjinore të rrezikut. /Gazeta Shneta