Studimi i ri përjashton lidhjen mes përdorimit të paracetamolit në shtatzëni dhe rrezikut për autizëm apo ADHD
Acetaminofeni, i njohur edhe si paracetamol dhe i tregtuar gjerësisht me emrin Tylenol, është një ilaç që merret pa recetë të mjekut dhe që përdoret në mbarë botën për trajtimin e dhimbjes dhe temperaturës. Megjithatë, në shtator 2025, një deklaratë e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara që sugjeronte një lidhje mes përdorimit të acetaminofenit gjatë shtatzënisë dhe rrezikut për autizëm shkaktoi shqetësim të gjerë publik.
Tani, një meta-analizë e gjerë që përfshin studime me cilësi të lartë ka dalë në përfundimin se nuk ka prova që përdorimi i paracetamolit sipas udhëzimeve gjatë shtatzënisë rrit rrezikun për autizëm, çrregullim të deficitit të vëmendjes dhe hiperaktivitetit (ADHD) apo paaftësi intelektuale tek fëmijët, shkruan burimi Medical News Today transmeton Gazeta Shneta.Ekspertë nga vende të ndryshme bien dakord se këto gjetje duhet t’i lehtësojnë gratë shtatzëna, duke konfirmuar se paracetamoli mbetet qetësuesi më i sigurt për përdorim gjatë shtatzënisë.
Paracetamoli është një nga barnat më të përdorura në botë. Vetëm në Mbretërinë e Bashkuar shiten rreth 6,300 tonë në vit, ndërsa në SHBA rreth 52 milionë të rritur përdorin çdo javë një medikament që përmban acetaminofen. Kjo e bën të kuptueshëm shqetësimin e shkaktuar nga paralajmërimi i vitit 2025.
Studimi i ri, i kryer nga studiues në Mbretërinë e Bashkuar dhe Evropë dhe i publikuar në “The Lancet Obstetrics, Gynaecology and Women’s Health”, vlerësoi një numër të madh kërkimesh dhe adresoi kufizimet kryesore të studimeve të mëparshme, si faktorët gjenetikë, mjedisi familjar dhe arsyet mjekësore për përdorimin e paracetamolit.
Sipas mjekëve, mungesa e çdo lidhjeje shkakore tregon se raportimet e mëparshme nuk ishin të bazuara në prova solide dhe përputhen me përvojën klinike dhe studimet e mëdha kombëtare, duke forcuar sigurinë e këtij ilaçi gjatë shtatzënisë.