OBSH: Shtetet duhet të rrisin taksat për pijet me sheqer dhe alkoolin, për t’i frenuar sëmundjet e parandalueshme
Qeveritë në mbarë botën duhet të rrisin ndjeshëm taksat për pijet me sheqer dhe alkoolin, nëse duan të ulin normat në rritje të obezitetit, diabetit, sëmundjeve të zemrës, kancerit dhe dëmtimeve të lidhura me to. Ky është paralajmërimi i fundit i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), i publikuar në dy raporte të reja.
OBSH-ja thekson se taksat e ulëta, të cilat nuk përshtaten me inflacionin, janë joefektive për të ulur konsumin e alkoolit dhe pijeve me sheqer. Si pasojë, këto produkte mbeten të përballueshme për konsumatorët, ndërkohë që sistemet shëndetësore përballen me një barrë gjithnjë e më të madhe sëmundjesh të parandalueshme, raporton Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Sipas OBSH-së, taksimi është një nga mjetet më të fuqishme që kanë qeveritë, pasi çmimet më të larta mund të ulin, vonojnë ose edhe parandalojnë plotësisht konsumin.
Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, theksoi se taksat shëndetësore jo vetëm që reduktojnë konsumin e dëmshëm, por edhe gjenerojnë fonde për shërbime jetike shëndetësore.
Në këtë kuadër, OBSH u bën thirrje vendeve të rrisin dhe ristrukturojnë taksat, me synimin që deri në vitin 2035 të rriten realisht çmimet e duhanit, alkoolit dhe pijeve me sheqer.
Raportet bazohen në analiza të çmimeve dhe niveleve të taksave për birrën, pijet alkoolike të forta dhe pijet me sheqer në mbi 150 vende gjatë vitit 2024.
Gjetjet tregojnë se, pavarësisht taksave ekzistuese, birra dhe pijet e forta janë bërë më të përballueshme që nga viti 2022, për shkak se taksat nuk përditësohen rregullisht me inflacionin.
Alkooli lidhet me mbi 200 gjendje shëndetësore dhe shkakton rreth 2.6 milionë vdekje çdo vit. Ndërkohë, pijet me sheqer rrisin rrezikun për obezitet, diabet dhe sëmundje kronike, duke ofruar pak ose aspak vlerë ushqyese.
OBSH-ja thekson se rritja e taksave dhe orientimi i të ardhurave drejt programeve shëndetësore është thelbësore për mbrojtjen e shëndetit publik. /Gazeta Shneta