Të kënduarit në grup mund të ulë depresionin pas lindjes

Të kënduarit në grup mund të ulë depresionin pas lindjes

Shëndetësi December 16, 2025 - 19:37

Të mblidhesh një herë në javë, të ulesh në rreth mbi jastëkë dhe qilima, së bashku me gra të tjera dhe fëmijët e tyre, me daulle apo çfarëdo instrumenti dhe një këngë për ta mësuar të gjithë bashkë, të udhëhequr nga një mësues muzike. Kjo është një praktikë që po ndiqet kohët e fundit. Pse?

Një takim i tillë mund të bëjë vërtet diferencën për nënat e reja që vuajnë nga depresioni pas lindjes.

Këndimi në grup, në fakt, mund të ndihmojë në uljen e simptomave depresive, me efekte që mbeten të qëndrueshme edhe me kalimin e kohës.

Për më tepër, kjo praktikë u pëlqen nënave dhe nuk përbën barrë për sistemin shëndetësor, pasi është provuar të jetë me kosto të ulët dhe efektivitet të lartë.

Pikërisht për këto arsye, grupet e këndimit duhet të inkurajohen nga sistemet shëndetësore dhe sociale. Kështu përfundon një studim i zhvilluar në Mbretërinë e Bashkuar, i publikuar në revistën shkencore British Journal of Psychiatry.