Shenja që duken të zakonshme, por mund të fshehin probleme shëndetësore: Bëni analizë gjaku sa më parë!
Ato duken të padëmshme, por mund të sinjalizojnë probleme hormonale, metabolike apo kardiovaskulare - ja kur është koha të reagoni
Analizat e rregullta të gjakut janë një nga mënyrat më të thjeshta dhe më të mira për zbulimin e hershëm të problemeve të mundshme shëndetësore, shpesh edhe para se të shfaqen simptomat serioze. Ato ofrojnë një pasqyrë të vlefshme mbi gjendjen e përgjithshme të organizmit, funksionimin e organeve dhe ekuilibrin e lëndëve ushqyese, dhe mund të zbulojnë gjendje të heshtura si kolesteroli i lartë apo para-diabeti.
Sëmundje si ato kardiovaskulare dhe diabeti fillojnë me simptoma të heshtura që nuk zhvillohen brenda natës. Analizat e rregullta të gjakut mund të ndjekin ndryshimet me kalimin e kohës, duke ndihmuar që problemet të dallohen para se të avancojnë. Ndërsa disa gjendje shëndetësore mund të zbulohen me një kontroll rutinë, të tjerat zhvillohen më shpejt dhe kërkojnë reagim të menjëhershëm.
Ekspertët theksojnë gjashtë shenja që mund të tregojnë se ka ardhur koha të kryeni një analizë laboratorike të gjakut.
Ndryshime të papritura në peshë
Nëse pesha juaj ndryshon papritur pa ndryshime në ushqim, aktivitet ditor apo mënyrë jetese, kjo mund të jetë shenjë se diçka nuk është në ekuilibër. Shtimi i papritur në peshë mund të tregojë çrregullime hormonale, probleme me gjëndrën tiroide ose mbajtje të lëngjeve në trup për shkak të sëmundjeve të zemrës, veshkave apo mëlçisë.
Nga ana tjetër, humbja e padëshiruar e peshës prej pesë për qind ose më shumë brenda gjashtë deri në dymbëdhjetë muaj mund të lidhet me çrregullime metabolike, endokrine ose të sistemit tretës. Analizat laboratorike të gjakut do t’i ndihmojnë mjekut të përcaktojë shkakun dhe të parandalojë komplikime të mëtejshme.
Lodhja e vazhdueshme
Ndjenja e lodhjes pas një dite të lodhshme ose pas mungesës së gjumit është normale, por lodhja kronike pavarësisht pushimit dhe zakoneve të shëndetshme është shenjë alarmi. Shkaku më i shpeshtë është anemia, e cila zbulohet lehtë me hemogram të plotë dhe analizë të hekurit. Kur niveli i tij është i ulët, qelizat nuk marrin mjaftueshëm oksigjen, gjë që shkakton energji të ulët dhe lodhje. Lodhja mund të jetë gjithashtu simptomë e hipotireozës, një gjendje në të cilën tiroidja nuk prodhon sasinë e duhur të hormoneve për funksionimin normal të trupit.
Ethet e tepërta dhe urinimi i shpeshtë
Nëse ndjeni vazhdimisht etje dhe urinoni shpesh, kjo mund të jetë shenjë e hershme e nivelit të lartë të sheqerit në gjak. Kur glukoza rritet, trupi përpiqet të nxjerrë tepricën përmes urinës, gjë që çon në dehidratim dhe rritje të ndjenjës së etjes. Këto simptoma janë shenjë klasike e diabetit, por mund të lidhen edhe me probleme të tjera, si çrregullimet e funksionimit të veshkave ose prostatës.
Mjeku zakonisht kërkon testin e glukozës esëll ose hemoglobinën A1c, e cila tregon nivelin mesatar të sheqerit në gjak gjatë disa muajve.
Krijimi i lehtë i mavijosjeve dhe gjakderdhjeve
Nëse vini re se mavijosjet shfaqen shpesh në trup ose se gjakderdhja ndodh pa arsye të dukshme, kjo mund të tregojë çrregullime të trombociteve. Gjendje të tilla ndikojnë në aftësinë e mpiksjes së gjakut dhe mund të çojnë në gjakderdhje të tepërt, por edhe në rritje të rrezikut për formimin e mpiksjeve.
Simptomat përfshijnë lodhje, menstruacione të bollshme, gjak në jashtëqitje ose urinë dhe gjakderdhje të shpeshta nga hunda apo mishrat e dhëmbëve. Mjeku mund të kërkojë analiza për numrin e trombociteve dhe nivelin e hekurit për të përjashtuar aneminë e shkaktuar nga humbja e gjakut.
Rënia e flokëve
Rënia e përkohshme e flokëve pas stresit ose sëmundjes nuk është e pazakontë, por rënia e vazhdueshme mund të jetë shenjë e një problemi më serioz. Shkaqet më të zakonshme janë çekuilibri hormonal dhe mungesa e hekurit, i cili merr pjesë në ciklin e rritjes së flokëve; mungesa e tij mund të dobësojë folikulat dhe ngadalësojë rigjenerimin. Hormonët e tiroides luajnë gjithashtu rol të madh, kështu që rënia e flokëve mund të tregojë hipotireozë ose hipertireozë. Analizat e gjakut për hekur, vitamina dhe hormonet e tiroides mund të ndihmojnë në zbulimin e shkakut.
Ndjesia e vapës ose e ftohtit
Nëse ju është vazhdimisht ftohtë ose gjithmonë keni vapë, është koha të kontrolloni hormonet. Ndjesia e ftohtit në duar dhe këmbë shpesh lidhet me aneminë nga mungesa e hekurit, ndërsa valët e nxehtësisë mund të tregojnë ndryshime hormonale si menopauza ose hipertireoza. Analizat e hormoneve të tiroides dhe atyre gjinore mund të sqarojnë shkakun dhe të ndihmojnë në gjetjen e terapisë së përshtatshme.
Kur analizat e gjakut janë më të rëndësishme
Ekspertët këshillojnë që analizat e gjakut të kryhen të paktën një herë në vit, si pjesë e kontrollit të rregullt preventiv. Përveç kësaj, analizat rekomandohen kur filloni të merrni një ilaç të ri (p.sh., për tiroide, diabet ose kolesterol), nëse keni histori familjare të sëmundjeve të zemrës apo diabetit, ose kur përdorni suplemente, për të kontrolluar nivelin e vitaminave dhe mineraleve. /Telegrafi