Një gjen miqësor ndaj zemrës ndihmon riparimin e saj pas një ataku
Një gjen miqësor ndaj zemrës ndihmon në riparimin e dëmtimit të zemrës pas një ataku në zemër, sipas një studimi të udhëhequr nga Hina Chaudhry e Shkollës së Mjekësisë ”Icahn”, çka hap terapi të reja potenciale për riparimin e dëmtimit të zemrës.
Testet laboratorike në qelizat njerëzore tregojnë se gjeni i quajtur Ccna2 mund të riaktivizohet, duke çuar në rigjenerimin e indeve të dëmtuara të zemrës.
Gjetjet e reja vijnë pas arritjeve fillestare të të njëjtit grup kërkimor në vitin 2014 mbi rigjenerimin qelizor të indeve të zemrës së derrit.
“Tani kemi përparuar në këtë fushë duke demonstruar se edhe qelizat e zemrës njerëzore të moshës së mesme, të cilat prej kohësh mendoheshin të paafta për t’u ndarë, mund të induktohen për të prodhuar qeliza të reja funksionale”, theksoi Chaudhry.
Puna u përqendrua në një gjen specifik të quajtur Ccna2, i njohur për të luajtur një rol kyç në ndarjen qelizore të kardiomiociteve, qelizat që përbëjnë muskulin e zemrës.
Qëllimi i studiuesve ishte të riaktivizonin gjenin dhe të verifikonin se ai mund të çonte në gjenerimin e qelizave të reja të afta për të zëvendësuar ato të dëmtuara pas atakut në zemër ose dështimit të zemrës.
Për ta bërë këtë, ata e inokuluan gjenin aktiv nëpërmjet një vektori viral në qelizat e muskulit kardiak të njeriut të kultivuara in vitro dhe vunë replikimin e tyre.
“Ne ishim pionierë të idesë se zemra mund të rigjenerohej duke rizgjuar gjenet e ndarjes qelizore në gjumë, dhe tani e kemi sjellë këtë vizion një hap më afër pacientëve”, theksoi Chaudhry.
“Qëllimi ynë është të ofrojmë një terapi që i lejon zemrës të shërohet vetë pas një ataku në zemër ose dështimi të zemrës, duke zvogëluar nevojën për transplante ose pajisje mekanike”, shtoi ajo. /abcnews