Në Kirurgjinë Vaskulare u krye një intervenim i rrallë, zgjati pesë orë

Në Kirurgjinë Vaskulare u krye një intervenim i rrallë, zgjati pesë orë

Shëndetësi October 30, 2025 - 14:50

Shërbimi Spitalor, Klinik dhe Universitar i Kosovës ka njoftuar se në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare është kryer një intervenim i rrallë.

Ky intervenim ka zgjatur pesë orë dhe se në arteriet kryesore të barkut, pacienti kishte pesë sëmundje, shkruan Zeri.info.

“Aorta e barkut 1.5 cm, nën arteriet renale ishte aneurizmatike (e zgjeruar) dhe e tipit inflamator, aorta abdominale, 3.5 cm nën arteriet renale, kishte një ulçerë penetruese të aortës (Penetrating Aortic Ulcer), e lokalizuar në murin e pasmë, në drejtim të boshtit kurrizor, që është e rrallë në këtë nivel. Ulcerat aortike depërtuese përbëjnë 7.5% (diapazoni 2.3-11%) të të gjitha rasteve të sindromës akute të aortës. Arteria iliaca komune e majtë ishte po ashtu e aneurizmatike.

Në vazhdimësi të boshtit iliak, arteria iliaca externa e majtë kishte stenozë (ngushtim) dhe përkundër kësaj, që po ashtu haset shumë rrallë.

Boshti i arterieve iliake në anën e djathtë ishte me arteriomegali (artrerie të zgjeruara që përfshijnë tërë gjatësinë e arteries)”, shpjegohet mes të tjerash.

SHSKUK-ja tregon se edhe në të kaluarën te ky pacient ishte bërë zëvendësimi i arteries femorale komune dhe arteries femorale profunda të djathtë, me graft vaskular (PTFE 8 mm), pikërisht për shkak të sëmundjes aneurizmatike të këtyre arterieve.

“Për të arritur deri tek aorta abdominale dhe vena cava inferior preparimi ishte shumë i vështirë, për shkak të ngjitjeve të shumta që ishin prezente dhe numrit të patogjive në segemntin aorto-iliak. Pas aneurizmektomisë (largimit të pjesëve të zgjeruara të aortës dhe arteries Ilica komune të majtë), bëhet interponimin e graftit vaskular Dacron në formë ‘Y’ me dimensione 16/8mm, në pozicionin aorto - arteria iliaca komune djathtas dhe arteria ilica externa majtas”, thuhet ndër të tjera. /Zëri