Studimi: Problemet me tretjen janë të zakonshme gjatë menopauzës

Studimi: Problemet me tretjen janë të zakonshme gjatë menopauzës

Shëndetësi October 30, 2025 - 08:32

Menopauza zakonisht lidhet me afshe të nxehta, djersitje gjatë natës dhe vështirësi në përqendrim, por kërkimet e fundit tregojnë se edhe problemet gastrointestinale (GI) mund të jenë një pjesë e nënvlerësuar e kësaj periudhe.

Një studim i ri, i paraqitur në takimin e “The Menopause Society”, në Orlando, Florida, zbuloi se 94% e gati 600 grave britanike të moshës 44–73 vjeç raportuan shqetësime me tretjen. Nga to, 82% thanë se simptomat filluan ose u përkeqësuan gjatë menopauzës, shkruan burimi Health Day transmeton Gazeta Shneta.Sipas studiuesit kryesor, dietologut Nigel Denby nga Londra, “problemet me tretjen në moshën e mesme shpesh anashkalohen, por kërkimi ynë tregon se ato janë të përhapura dhe ndikojnë ndjeshëm në jetën e grave.” Ai shtoi se rritja e ndërgjegjësimit mund të ndihmojë profesionistët e shëndetit të ofrojnë mbështetje dhe trajtim më të mirë.

Simptomat më të zakonshme përfshinin fryrjen (77%), kapsllëkun (54%), dhimbjet e stomakut (50%) dhe refluksin acidik (49%). Më shumë se gjysma e grave raportuan simptoma ditore ose javore, me 55% që ndjenin ndikim të rëndësishëm në cilësinë e jetës.

Vetëm një e treta e grave (33%) kishin marrë diagnozë për sindromën e zorrës së irrituar, dhe megjithëse rreth gjysma kërkuan ndihmë profesionale, 58% e tyre e konsideruan atë të pamjaftueshme.

Dr. Stephanie Faubion, drejtoreshë mjekësore e “The Menopause Society”, tha se këto rezultate tregojnë sa shpesh gratë përjetojnë simptoma gastrointestinale që mbeten pa trajtim adekuat. Ajo theksoi se është e rëndësishme të mos neglizhohen këto probleme gjatë menopauzës, pasi ndikojnë dukshëm në mirëqenien e përgjithshme.