
Antidepresantët mund të shkaktojnë ndryshime të dukshme fizike brenda pak javësh
Një studim i zhvilluar nga King’s College London dhe Universiteti i Oksfordit ka zbuluar se disa lloje të caktuara të antidepresantëve mund të shkaktojnë ndryshime të konsiderueshme fizike, përfshirë shtim ose humbje në peshë, rritje të rrahjeve të zemrës dhe ndryshime të tensionit të gjakut, brenda një periudhe të shkurtër trajtimi.
Studiuesit analizuan të dhënat nga 151 studime klinike me mbi 58 mijë persona, duke krahasuar efektet fizike anësore të 30 llojeve të ndryshme të antidepresantëve. Pavarësisht se shumica e pjesëmarrësve i kishin përdorur ilaçet vetëm për tetë javë, u vërejtën ndryshime të rëndësishme në parametrat fizikë të trupit.
Për shembull, u evidentua një dallim prej 4 kilogramësh në ndryshimin mesatar të peshës trupore mes disa barnave: agomelatina shoqërohej me humbje peshe deri në 2.5 kg, ndërsa maprotilina me shtim peshe deri në 2 kg. Pothuajse gjysma e përdoruesve të barnave si maprotilina ose amitriptilina raportuan shtim në peshë, ndërkohë që mbi gjysma e përdoruesve të agomelatinës përjetuan rënie në peshë.
Studimi gjithashtu tregoi një ndryshim prej 21 rrahjesh në minutë në normën e zemrës midis përdoruesve të fluvoxaminës dhe nortriptilinës, si dhe një diferencë prej 11 mmHg në tensionin arterial midis nortriptilinës dhe doxepinës.
Studiuesit kërkojnë që udhëzimet për përdorimin e antidepresivëve të përditësohen, në mënyrë që të reflektojnë më saktë efektet anësore fizike dhe të ndihmojnë në ofrimin e kujdesit më të personalizuar dhe të informuar për pacientët që vuajnë nga depresioni apo çrregullime të tjera të shëndetit mendor.