
Studimi i ri: Truri i burrave plaket më shpejt, Alzheimeri godet gratë më shpesh
Truri i burrave plaket më shpejt se ai i grave me kalimin e moshës, sipas një studimi të ri të botuar në Proceedings of the National Academy of Sciences. Megjithatë, ky zbulim nuk shpjegon pse gratë vazhdojnë të jenë më të predispozuara për të zhvilluar sëmundjen e Alzheimerit.
Sipas Fox News, studimi analizoi mbi 12 mijë skanime të trurit te gati 5 mijë persona të shëndetshëm të moshës 17 deri në 95 vjeç. Secili prej tyre iu nënshtrua të paktën dy skanimeve MRI, për të monitoruar ndryshimet në vëllimin e trurit.
“Gratë diagnostikohen më shpesh me Alzheimer sesa burrat”, theksoi Anne Ravndal, autorja kryesore e studimit nga Universiteti i Oslos në Norvegji.
Studiuesit zbuluan se burrat përjetojnë “tkurrje” më të shpejtë të trurit në rajone kritike për kujtesën, emocionet dhe përpunimin ndijor,duke përfshirë hipokampusin dhe zonat parahipokampale.
Për ta kuptuar, Hipokampusi është si “hard disku” i trurit për kujtesën. Ai ruan kujtimet e reja dhe ndihmon që të kujtojmë gjërat që kemi mësuar. Te zonat parahipokampale përpunohet informacioni që vjen nga shqisat dhe ndihmon që të formohen kujtimet dhe të kuptohet emocioni i ngjarjeve.
Truri i grave tregoi më shumë stabilitet vëllimor, edhe pse u vu re një zmadhim i lehtë në hapësirat e mbushura me lëngje të trurit, të njohura si ventrikuj.
“Gjetjet tona tregojnë se burrat përjetojnë rënie më të madhe strukturore të trurit në më shumë zona”, tha Ravndal. “Plakja normale e trurit nuk e shpjegon ndryshimin gjinor në normat e Alzheimerit“, tha ajo.
Shtoi se “faktorë të tjerë si jetëgjatësia, ndryshimet hormonale apo sjelljet në jetën e përditshme mund të luajnë rol”.
Studimi u bazua vetëm në pjesëmarrës të shëndetshëm, pa përfshirë persona me demencë, sqaroi Ravndal.
“Ky kërkim nuk ka për qëllim të japë rekomandime direkte për individët. Në vijim do të duhet të identifikojmë mekanizmat që qëndrojnë pas këtyre ndryshimeve”, deklaroi ajo.