
Kontakti “lëkurë më lëkurë” pas lindjes përmirëson shëndetin e foshnjave
Një analizë e re shkencore nga Cochrane ka konfirmuar se vendosja e menjëhershme e foshnjës mbi gjoksin e nënës pas lindjes – i njohur si kontakti “lëkurë më lëkurë” – sjell përfitime të mëdha për shëndetin e bebes dhe duhet të bëhet praktikë standarde në të gjitha maternitetet.
Studimi, që përfshiu 69 hulumtime me mbi 7,000 nëna dhe foshnja, tregon se bebet që qëndrojnë në kontakt të drejtpërdrejtë me nënën brenda orës së parë pas lindjes kanë më shumë gjasa të ushqehen me gji, të ruajnë temperaturën, nivelin e sheqerit në gjak dhe rrahjet e qëndrueshme të zemrës, shkruan MedicalXpress transmeton Gazeta Shneta.Ekspertët theksojnë se ndarja e nënës dhe foshnjës menjëherë pas lindjes për procedura rutinë nuk është më e justifikueshme.
“Ka prova të mjaftueshme që tregojnë se kjo praktikë përmirëson shëndetin dhe mbijetesën e foshnjave,” tha Dr. Karin Cadwell, bashkautore e studimit.
Organizata Botërore e Shëndetësisë tashmë e rekomandon kontaktin “lëkurë më lëkurë” si pjesë të kujdesit bazë për çdo lindje, duke e cilësuar si një nga ndërhyrjet më të thjeshta dhe më efektive për mirëqenien e nënës dhe fëmijës.