Mamografi falas për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit

Mamografi falas për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit

Shëndetësi October 22, 2025 - 21:39

Tetori njihet si muaji i ndërgjegjësimit për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. E shumë nga Qendrat e Mjekësive Familjare ofrojnë shërbime të kujdesit shëndetësor për mbrojtjen e shëndetit të grave. Zyrtarët shëndetësor thonë se është rritur numri i grave që po e bëjnë mamografinë.

Besa Dodaj-Ferizi vendosi që në ‘Muajin Rozë’, i cili njihet si muaji i ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit, të bëjë mamografinë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë.

“Muaji Rozë është muaji që promovon ndërgjegjësimin për rëndësinë e kontrolleve të rregullta, sidomos për ne që jemi në një moshë më delikate. Nuk mund të them se jam gjithmonë e rregullt, por para dy vitesh kam bërë dy mamografi dhe këtë herë vendosa të vij përsëri gjatë këtij muaji”, tha Besa Dodaj Ferizi, paciente.

"Zbulimi i hershëm shpëton jetë, prandaj, kontrollet e rregullta të gjirit janë thelbësore". Kështu thekson Edita Bajraktari, shefe e Radiologjisë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, e cila bën të ditur se kjo qendër ofron ekzaminimin dhe diagnostikimin e kancerit të gjirit.

“Në Prishtinë ofrojmë tri mamografi falas: në Qendrën Kryesore të Mjekësisë, si dhe në lagjen Dardania dhe lagjen Veternik. Mamografitë janë falas gjatë gjithë vitit, jo vetëm në muajin rozë. Pajisjet janë të reja, me teknologjinë më të fundit, dhe krahas mamografisë ofrojmë edhe ultrazë të gjirit ? dy nga metodat më të rëndësishme për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit”, shtoi Bajraktari.

Bajraktari vëren se ndërgjegjësimi i grave për rëndësinë e kontrolleve të gjirit është rritur ndjeshëm vitet e fundit.

“Kemi vërejtur se përmes fushatave të ndryshme është rritur interesimi dhe vetëdijesimi i grave për kontrolle të rregullta. Edhe këtë vit po e shohim se numri i atyre që vijnë për kontrolle është në rritje”, theksoi ajo.

Sipas Bajraktarit, mamografia mbetet metoda më e rëndësishme diagnostikuese për zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit, pasi mundëson trajtim më efektiv të kësaj sëmundjeje./rtk