
A është dhimbja psikologjike po aq e rëndë sa ajo fizike?
Në Shqipëri nënvlerësohet impakti i bullizmit sepse kultura jonë është ende e mbërthyer mes dy logjikave të rrezikshme: e para, se “fëmijët e fortë ia dalin vetë” duke e ngatërruar reziloencën me heshtjen e detyruar dhe e dyta, se dhimbja psikologjike nuk ka peshë sa dhimbja fizike. Kjo është arsyeja pse shpesh dëgjojmë prindër, mësues, madje edhe institucione të thonë: “Do kalojë, mos e bëj kaq të madhe.” Por për një 15 vjeçare, bota është pikërisht aq e madhe sa dhimbja që ajo mban brenda vetes.
Nga pikëpamja klinike, bullizmi është një formë mikrotraume kronike. Përmes përsëritjes ai gërryen vetëvlerësimin, minon ndjenjën e sigurisë dhe krijon një terren të favorshëm për zhvillimin e depresionit, ankthit dhe çrregullimeve të lidhura me traumën. Kur mungon një rrjet mbështetës që e njeh dhe e adreson këtë dhimbje, një adoleshent mbetet i izoluar në përvojën e tij. Në këtë pikë, edhe akti i vetëdëmtimit apo i vetëvrasjes mund të perceptohet si e vetmja rrugëdalje nga një realitet i papërballueshëm.
Ad
Në sytë e babait që qante, kishte një pyetje të pashprehur: “Pse nuk e pashë? Pse nuk arrita ta shpëtoj?” Dhe ky është realiteti më i hidhur, në Shqipëri, nuk mungon vetëm ndërhyrja e hershme por mungon edhe vetëdija kolektive për ta marrë seriozisht dhimbjen emocionale të adoleshentëve. Ne presim që ata të jenë të fortë, por nuk u japim mjete për të përballuar plagët emocionale. Në vend që të shihet si një përvojë potencialisht traumatike, bullizmi interpretohet si një “provë karakteri” ose një “fazë kalimtare”.
Lotët e atij babai duhet të bëhen jehonë, një thirrje që na kujton se bullizmi nuk është thjesht një problem “shkollor”por një emergjencë shoqërore dhe psikologjike./living.al