Studimi për diabetin zbulon një boshllëk në diagnostikimin e hershëm te miliona njerëz

Studimi për diabetin zbulon një boshllëk në diagnostikimin e hershëm te miliona njerëz

Shëndetësi September 14, 2025 - 00:00

Pothuajse gjysma e të rriturve në mbarë botën që jetojnë me diabet as nuk e dinë se e kanë atë, kështu miliona njerëz mund të kenë më shumë ndërlikime shëndetësore.

Një studim i ri gjithëpërfshirës, i botuar në revistën “The Lancet Diabetes & Endocrinology”, shqyrtoi të dhëna nga më shumë se 200 vende nga viti 2000 deri në vitin 2023, duke përcjellur se sa mirë sistemet shëndetësore i identifikojnë, trajtojnë dhe kontrollojnë gjendjen shëndetësore të njerëzve.

Hulumtuesit analizuan se sa njerëz me diabet janë të padiagnostikuar, të patrajtuar, që marrin kujdes jo optimal ose që arrijnë kontroll optimal të sheqerit në gjak, të ndarë sipas moshës, gjinisë, vendndodhjes dhe vitit të lindjes.

Hulumtuesit zbuluan se rreth 44% e njerëzve të moshës 15 vjeç e lart me diabet mbeten të padiagnostikuar.

“Shumë njerëz nuk do të kenë shenja ose simptoma derisa diabeti i tyre të jetë shumë i avancuar, dhe shumë njerëz nuk shkojnë shpesh tek mjeku ose aspak për analiza laboratorike”, tha për Fox News, Tanya Freirich, një dietologe në Karolinën e Veriut.

Shumica e pacientëve të diagnostikuar, afërsisht 91%, marrin ilaçe, por më pak se gjysma arrijnë ta kontrollojnë sheqerin në gjak. Kjo do të thotë që vetëm rreth një në pesë persona në mbarë botën po e menaxhojnë në mënyrë efektive sëmundjen e tyre.

Të rinjtë kanë më shumë gjasa të mos diagnostikohen, pavarësisht se përballen me rreziqe serioze afatgjata, siç janë sëmundjet e zemrës, dështimi i veshkave, verbëria dhe dëmtimi i nervave, sipas studimit.

Gjeografia luan një rol të fuqishëm në shkallën e diagnostikimit. Në vendet më të pasura si Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja, shkallët e diagnostikimit janë më të larta, megjithëse sfida mbetet në menaxhimin afatgjatë të sëmundjes.

Në rajonet me të ardhura të ulëta, veçanërisht në pjesë të Afrikës, më pak se një në pesë persona me diabet janë të vetëdijshëm se e kanë sëmundjen.

Autorja kryesore Lauryn Stafford, një studiuese në “Institutin për Metrikat dhe Vlerësimin e Shëndetit” në Universitetin e Uashingtonit, tha se këto shifra duhet të ndezin alarmin për qeveritë dhe sistemet shëndetësore në mbarë botën.

“Deri në vitin 2050, 1.3 miliardë njerëz pritet të jetojnë me diabet, dhe nëse gati gjysma nuk e dinë se kanë një gjendje shëndetësore serioze dhe potencialisht vdekjeprurëse, kjo mund të shndërrohet lehtësisht në një epidemi të heshtur”, tha ajo në një njoftim për shtyp.

Studimi gjithashtu sugjeron se vetë trajtimi shpesh nuk është i mjaftueshëm. Vetëm recetat nuk e kontrollojnë sheqerin në gjak, pasi studiuesit paralajmërojnë se sistemet shëndetësore duhet të përqendrohen gjithashtu në monitorim, edukim dhe mbështetje të stilit të jetës.

Për disa njerëz me prediabet, trajtimi i hershëm, si dhe ndryshimet e moderuara të stilit të jetës, mund të rikthejnë nivelet e glukozës në gjak (sheqerit në gjak) në një gamë normale, duke parandaluar ose vonuar në mënyrë efektive diabetin e tipit 2, sipas Shoqatës Amerikane të Diabetit, shkruan Fox News.