
Kirurgjia Vaskulare realizon me sukses ndërhyrjen në arterien që furnizon trurin me gjak
Në Klinikën e Kirurgjisë Vaskulare të QKUK-së është realizuar me sukses një ndërhyrje delikate kirurgjikale në arterien karotide, arteria që furnizon trurin me gjak.
Njoftimin për këtë ndërhyrje të rrallë në vend e bëri Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës.
Sipas SHSKUK-së, ky është një inovacion i ri për këtë klinikë e që shmang nevojën për anestezion të përgjithshëm dhe zvogëlon komplikimet e mundshme që lidhen me të.
“Pacienti 84-vjeçar, i cili dy javë më parë kishte përjetuar një atak ishemik tranzitor, si pasojë e ngushtimit të arteries karotide interne të djathtë rreth 80%, iu nënshtrua operacionit, duke përdorur anestezion lokal (bllok anestezioni).
Gjatë operacionit, pacienti qëndroi i vetëdijshëm dhe nën monitorim të vazhdueshëm të funksioneve neurologjike, duke rritur sigurinë e procedurës”, thuhet ndër të tjera.
Po ashtu, bëhet e ditur se kjo metodë ka disa avantazhe si: rikuperim më të shpejtë, ulje të rreziqeve kardiopulmonare, qëndrim më të shkurtër në spital dhe rehabilitim më të lehtë.
Ndërhyrja u krye me sukses nga ekipi mjekësor i përbërë nga dr. Hajri Rudari, dr. Harjeta Zherka-Saraqini, dr. Lendita, dr. Lavdim Morina, specialist i anestezionit, dr. Pranvera Maloku, specializante e anestezionit, instrumentiste Mirdita Menxhiqi dhe Mirvete Hajdini, teknike e anestezionit. /Zëri