Si ta kuptoni që keni mungesë magnezi?

Si ta kuptoni që keni mungesë magnezi?

Shëndetësi August 13, 2025 - 21:09

Magnezi shpesh përmendet si një kurë natyrale për një sërë problemesh shëndetësore.

Fox News Digital ka folur me disa ekspertë të shëndetit në lidhje me këtë mineral shumëfunksional, i cili luan rol në mbi 300 procese enzimatike në trup dhe ndihmon në prodhimin e energjisë, funksionimin e muskujve dhe nervave, si dhe rregullimin e tensionit të gjakut.

Sipas burimeve, magnezi mund të ndihmojë në uljen e rrezikut për disa sëmundje, si dhe të përmirësojë gjumin, të reduktojë stresin dhe ankthin, si dhe të parandalojë ngërçet muskulore gjatë natës.

 

“Ky nutrient ndihmon në stabilizimin e ritmit të zemrës dhe parandalimin e aritmive, bashkëpunon me kalciumin dhe vitaminën D për të forcuar kockat, dhe gjithashtu ndihmon në ndjeshmërinë ndaj insulinës dhe metabolizmin e glukozës”, tha për Fox News Digital Dr. Heather Viola, mjeke e kujdesit parësor në sistemin shëndetësor Mount Sinai në New York.Sipas Eleana Quattrocchi, farmaciste dhe pedagoge e praktikës farmaceutike në Universitetin Long Island në Brooklyn, magnezi gjithashtu ndihmon për lehtësimin e kapsllëkut, parandalimin e migrenës dhe lehtësimin e simptomave të PMS-it (sindroma paramenstruale).

Shenjat e mungesës së magnezit

Mungesa e magnezit mund të rrisë rrezikun për hipertension, sëmundje kardiovaskulare, diabet të tipit 2, migrenë dhe osteoporozë.

Simptomat e mundshme përfshijnë:

Pagjumësi;

Ngërçe muskulore;

Kapsllëk;

Të përziera dhe të vjella;

Lodhje;

Dobësi;

Mpirje ose ndjesi shpimi gjilpërash;

Ndryshime të personalitetit;

Aritmi kardiake (çrregullime në rrahjet e zemrës).

Në rastet më të rënda, sipas Zyrës së Suplementeve Ushqimore të NIH (Instituti Kombëtar i Shëndetësisë në SHBA), mund të ndodhë ulje e niveleve të kalciumit (hipokalsemi) ose e kaliumit në gjak (hipokalemi).