
Poliomieliti, sëmundja e harruar që po rikthehet
Për gati katër dekada, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) dhe partnerët e saj kanë luftuar për të zhdukur poliomielitin – një sëmundje paralizuese e njohur që nga kohët parahistorike. Megjithëse rastet janë ulur me mbi 99%, virusi ende qarkullon në disa zona të Afganistanit dhe Pakistanit.
Një hulumtim i Associated Press zbulon se përpjekjet janë dëmtuar nga keqmenaxhimi, strategjitë e vjetruara dhe përdorimi i një vaksine orale.
Dokumente të brendshme dhe dëshmi nga punonjës zbulojnë se shumë fëmijë nuk janë vaksinuar realisht, se janë falsifikuar të dhënat dhe se personat e vaksinuar shpesh nuk janë të trajnuar siç duhet, raporton Euronews Health transmeton Gazeta Shneta.
Për më tepër, vaksina orale, megjithëse efektive dhe e lirë, në raste shumë të rralla mund të shkaktojë paralizë ose të çojë në shpërthime virale në zonat ku vaksinimi është i ulët. Kjo ka bërë që shumica e rasteve të polios në botë sot të lidhen pikërisht me këtë vaksinë.
Shumë ekspertë rekomandojnë kalimin në vaksinën injektuese, e cila është më e sigurt, por më e shtrenjtë dhe kërkon më shumë trajnim.
Megjithatë, strategjia globale nuk është ndryshuar, edhe pse janë shpenzuar mbi 1 miliard dollarë vetëm në Pakistan në pesë vitet e fundit, pa shumë përparim.
Fushatat gjithashtu përballen me sfida të mëdha kulturore dhe dezinformim. Disa komunitete besojnë gabimisht se vaksina dëmton fertilitetin, ndërsa gratë ndalohen nga burrat të vaksinojnë fëmijët.
Ekspertët paralajmërojnë se pa një rishikim të thellë të strategjisë, poliomieliti mund të mos zhduket kurrë plotësisht.