
Mos e hidhni lëvoren e shalqirit, këto janë përfitimet shëndetësore
Zbulojeni pjesën më të nënvlerësuar të këtij fruti
Shalqiri nuk është vetëm një frut i freskët dhe i shijshëm, por edhe një burim i pasur i substancave ushqyese që gjenden veçanërisht në pjesën e bardhë të lëvores – pjesë që zakonisht hidhet.A e dini se pjesa e bardhë e shalqirit vepron si një ‘Viagra’ natyrale? Kjo sepse përmban sasi të konsiderueshme të aminokiselinës citrulin, e cila njihet për efektet e saj të dobishme për shëndetin e zemrës dhe enëve të gjakut, duke ndihmuar në përmirësimin e qarkullimit të gjakut dhe, si rezultat, mund të ketë ndikim pozitiv edhe në funksionin seksual.
Studime të publikuara në Journal of Agricultural and Food Chemistry tregojnë se citrulini në trup shndërrohet në argininë, një aminoacid që ndihmon zgjerimin e enëve të gjakut, duke vepruar në mënyrë të ngjashme (por shumë më të butë) me disa medikamente për disfunksionin erektil.
Përveç citrulinit, sipas të dhënave të USDA FoodData Central, lëvorja e shalqirit është e pasur me vitaminë C, vitaminë A, vitaminë B6, si dhe minerale të rëndësishme si magnezi, zinku dhe kaliumi — të gjitha të nevojshme për imunitetin, metabolizmin dhe funksionin nervor, transmeton Telegrafi.Shalqiri zakonisht konsumohet si frut i freskët, por për ata që kujdesen për peshën trupore apo që ndjekin dieta me indeks të ulët glikemik (GI), rekomandohet që të përdorin shalqirin si bazë për smoothie.
Duke përfshirë pjesën e kuqe dhe të bardhë të frutit, si dhe duke shtuar arra ose bajame, mund të përgatitet një pije e shëndetshme me përmbajtje të balancuar sheqernash dhe fibrash. Kjo e ngadalëson përthithjen e sheqernave dhe e bën pijen më të qëndrueshme për nivelin e sheqerit në gjak.