
Mjekët do të përshkruajnë ndeshjet e futbollit si kurë për depresionin në një program të ri inovativ
Për shumë njerëz, futbolli është më shumë se një lojë – është pasion, qëllim dhe shpeshherë një mënyrë jetese. Tani, në një iniciativë novatore në fushën e shëndetit mendor, futbolli mund të shërbejë edhe si kurë.
Në Gloucestershire, mjekët e përgjithshëm së shpejti do të fillojnë të përshkruajnë ndjekjen e ndeshjeve të futbollit drejtpërdrejt për pacientët që luftojnë me depresionin.
Plani parashikon që pacientët të kenë mundësinë të ndjekin ndeshjet e Forest Green Rovers, një klub profesionist që garon në Ligën Kombëtare, niveli i pestë i futbollit anglez.
Klubi është i njohur për vlerat e tij komunitare dhe angazhimin për mbrojtjen e mjedisit, duke ofruar një ambient të përshtatshëm për ndërveprim dhe përfshirje sociale
.“Ka diçka te të parit e futbollit që të jep ndjenjën e përkatësisë,” thotë Dr. Opher, një nga mjekët që po promovon këtë iniciativë. “Izolimi social është një nga problemet më të mëdha në shoqërinë tonë – është po aq i dëmshëm për shëndetin sa pirja e 20 cigareve në ditë”.
Dr. Opher është prej kohësh mbështetës i konceptit të “përshkrimit social”, që nënkupton zëvendësimin e trajtimeve medikamentoze me aktivitete si kopshtaria, komedia dhe tani edhe futbolli, sidomos për pacientët me depresion të lehtë ose të moderuar. Ai thekson se rreth 80% e pacientëve respektojnë dhe ndjekin aktivitetet që u përshkruhen.
“Sigurisht, futbolli nuk është për të gjithë,” pranon ai. “Por për shumë njerëz, mund të jetë pikërisht ajo që u nevojitet për të rikthyer gëzimin, lidhjen me të tjerët dhe një arsye për të dalë nga shtëpia”.