Adrenalinë me çmim të lartë: Kafeina, sheqeri dhe sëmundjet që vijnë me pijet energjike

Adrenalinë me çmim të lartë: Kafeina, sheqeri dhe sëmundjet që vijnë me pijet energjike

Shëndetësi June 21, 2025 - 12:32

Në kundërshtim me besimin e zakonshëm, kafeina nuk rrit përqendrimin e kërkuar për të menduar dhe mësuar, por vëmendjen afatshkurtër të nevojshme për lojëra dhe vozitje. Në sasi më të mëdha, kafeina ndikon negativisht në sistemin nervor duke shkaktuar nervozizëm, çrregullime të gjumit dhe shqetësim.

Pijet energjike janë kryesisht të gazuara dhe përmbajnë kafeinë, një sasi të madhe sheqeri, si dhe substanca të tjera që pretendohet se kanë efekt stimulues. Megjithëse përdorimi i tyre është i përhapur, ka gjithnjë e më shumë studime që, bazuar në rastet e raportuara, paralajmërojnë për një rrezik serioz për shëndetin (Al-Shaar et al., 2017).

Përveç kafeinës dhe sheqerit, këto pije përmbajnë përbërës si taurinë, inozitol, vitaminë B, ekstrakt guarana, L-carnitine, kreatinë, xhensen dhe xhinko biloba. Sasia e kafeinës në këto pije është e kufizuar në 320 mg/L, që është e barabartë me 3-4 filxhanë kafeje (EFSA, 2015). Toleranca ndaj kafeinës ndryshon sipas përdorimit afatgjatë dhe ndjeshmërisë individuale.

Personat që nuk janë të mësuar me doza të larta të kafeinës, si dhe ata që janë të ndjeshëm ndaj efektit të saj, mund të përjetojnë rrahje të shpejta dhe të çrregullta të zemrës, dridhje të duarve, ankth, dhe probleme me sistemin tretës. Fatkeqësisht, janë raportuar edhe raste vdekjesh për shkak të çrregullimeve kardiake të paidentifikuara më parë, sidomos te të rinjtë. Kjo është vërtetuar nga studimi i publikuar në Front Public Health, që tregon rritje të presionit të gjakut, sheqerit në gjak dhe trashjes së gjakut pas konsumimit të këtyre pijeve

Kush duhet të shmangë posaçërisht kafeinën?

Kafeina duhet të shmanget ose të kufizohet nga personat që janë të ndjeshëm ndaj saj (metabolizim i ngadaltë), gratë shtatzëna, dhe ata që vuajnë nga sindroma e zorrës nervoze, gastriti ose ulcera. Sipas Shoqatës Amerikane të Pediatrisë (AAP), fëmijët dhe adoleshentët duhet ta shmangin plotësisht përdorimin e këtyre produkteve.

Ekstrakti i guaranës në pijet energjike kontribuon më tej në sasinë e përgjithshme të kafeinës. Në doza të larta, kafeina shkakton irritim, çrregullime të gjumit dhe shqetësim, që janë të kundërta me përfitimet e nevojshme për përqendrim të thellë gjatë studimit ose punës.

Dozat e rekomanduara dhe efektet e kafeinës

Sipas Mayo Clinic, dozat më të ulëta se 500 mg kafeinë mund të rrisin vigjilencën, të përmirësojnë të menduarit dhe të folurin, të reduktojnë lodhjen dhe nevojën për gjumë. Megjithatë, dozat më të larta lidhen me nervozizëm, ankth, pagjumësi, dridhje dhe, në raste të rralla, edhe kriza epileptike rezistente ndaj terapive, transmeton Telegrafi.

Ndikimi i dëmshëm te të rinjtë dhe shëndeti i tyre

Krahas kafeinës, pijet energjike përmbajnë edhe sasi të mëdha sheqeri. Përthithja e shpejtë e glukozës shkakton rritje të menjëhershme të nivelit të sheqerit në gjak, duke ndikuar në dëmtim të dhëmbëve, rënim të mishrave, varësi dopaminike, rezistencë ndaj insulinës, obezitet dhe sindromë metabolike.

Meqenëse të rinjtë janë objektivi kryesor i marketingut të këtyre produkteve, zhvillimi i varësisë psikologjike nga dopamina është shqetësues, sepse i nxit ata të kërkojnë burime të tjera stimulimi përmes lojërave, substancave, rrjeteve sociale, etj.

Reklamimi i rrezikshëm që synon të rinjtë

Prodhuesit e pijeve energjike shpesh i paraqesin produktet si pjesë e pandashme e jetës moderne, të suksesshme dhe dinamike. Në të vërtetë, këto pije nuk duhet të përfaqësohen me imazhe të njerëzve të shëndetshëm, por me paralajmërime që pasqyrojnë efektet e tyre të mundshme në shëndet.

Çfarë tregojnë studimet e fundit klinike?

Studime si ai i Seifert et al, kanë treguar efekte të rënda anësore nga konsumimi i shpeshtë i pijeve energjike, përfshirë aritmi, spazma koronare, infarkt, fibrilacion atrial dhe diseksion të aortës. Janë raportuar ndalim kardiak dhe vdekje e papritur te të rinj pa sëmundje të mëparshme.

Gjithashtu, është raportuar se konsumimi i tepërt ka çuar në zbulimin e patologjive të panjohura, si aneurizma dhe gjakderdhje cerebrale, në persona që kishin pirë 5 kënaçe në ditë për katër ditë rresht.

Problemet shëndetësore të tjera të raportuara

Këto përfshijnë ndalim zemre, sulm kardiak pas përzierjes me alkool, bllokim të degës së djathtë të His-it pas dy kënaçeve, çarje të aortës, gastrit atrofi, hepatit akut, pankreatit akut, kriza epileptike, ndalim të funksionit të veshkave dhe rabdomiolizë – të gjitha të lidhura me konsum të tepruar të pijeve energjike.

A do të thotë kjo që nuk duhet kurrë të pijmë një pije energjike?

Duke pasur parasysh përqendrimin e kafeinës që varion nga 50 deri në 150 mg për kënaçe (dhe deri 200 mg në 60 ml për produkte të veçanta), rekomandohet të mos pihet më shumë se një kënaçe për njëherë dhe jo më shumë se dy brenda ditës për të qëndruar brenda kufijve të sigurisë (EFSA, 2015; Mayo Clinic).