
Qendra e Mjekësisë në Velani nis punën edhe në ndërrimin e dytë
Pas më shumë se dy vitesh, Qendra e Mjekësisë Familjare në lagjen “Velania” të Prishtinës ka filluar të ofrojë shërbime edhe në ndërrimin e pasdites. Tashmë kjo qendër është e hapur për pacientë çdo ditë pune nga ora 7 deri në orën 20.
Enver Redenica mori shërbime në orarin e ri të pasdites në këtë Qendër të Mjekësisë Familjare. Ai thotë se zgjatjen e orarit të punës e kishin kërkuar prej kohësh.
“Jemi të lumtur që më në fund qytetarëve po u kthehet një e drejtë e mohuar për një kohë të gjatë. Për këtë çështje kemi bërë ankesa dhe kemi dorëzuar edhe peticione,” ka thënë Enver Redenica, kryetar i Këshillit Lokal të Sofalisë.
Banorët e Velanisë theksojnë se nevoja për zgjatjen e orarit të punës ka qenë urgjente, duke pasur parasysh edhe ngarkesën që kjo qendër përballon çdo ditë.
“Kemi bërë disa herë peticione, sepse mbyllja e ndërrimit të dytë ishte një vendim i padrejtë. Kjo qendër mbulon jo vetëm Velaninë, por edhe zonat përreth si Sofalia e të tjera,” ka thënë qytetari Zenel Redenica.
Sipas stafit të kësaj qendre, për çdo ditë marrin shërbime afërsisht 200 pacientë. Sipas tyre, me hapjen e ndërrimit të dytë, pritet të lehtësohet qasja dhe të përmirësohet cilësia e shërbimeve për komunitetin lokal./rtk