Nis trajtimi i pacientëve me epilepsi farmakorezistente me metodën “VNS”

Nis trajtimi i pacientëve me epilepsi farmakorezistente me metodën “VNS”

Shëndetësi June 03, 2025 - 17:17

Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka njoftuar se për herë të parë ka filluar të ofrohet trajtimi me metodën moderne të Elektrostimulimit të Nervit Vagus (VNS) për pacientët me epilepsi farmakorezistente.

Sipas njoftimit, me datë 2 dhe 3 qershor 2025, janë trajtuar me sukses 3 pacientët e parë, të përzgjedhur nga ekipi multidisiplinar i Klinikës së Neurologjisë, të cilët kanë përmbushur kriteret për implantim, raporton Zeri.info.

Po ashtu, bëhet e ditur se kjo metodë inovative aplikohet tek pacientët të cilët, pavarësisht përdorimit të dy ose më shumë medikamenteve antiepileptike, vazhdojnë të kenë kriza të shpeshta dhe të rënda. Trajtimi me VNS konsiston në implantimin e një pajisjeje që gjeneron impulse elektrike në nervin Vagus, duke ndihmuar në kontrollin më efektiv të krizave epileptike.

“Ky shërbim i ri është rezultat i përgatitjeve shumëdimensional që kanë filluar që nga viti 2022 nga Klinika e Neurologjisë, përfshirë trajnime profesionale brenda dhe jashtë vendit (Kroaci, Belgjikë, Çeki), si dhe përpilimin e dokumentacionit dhe planit të veprimit nga Grupi Punues i Ministrisë së Shëndetësisë.

Kjo arritje shënon një hap të madh drejt avancimit të shërbimeve neurologjike në Kosovë, duke i dhënë fund nevojës që pacientët të kërkojnë trajtim jashtë vendit, me kosto të larta dhe me barrë për buxhetin e shtetit dhe familjet e pacientëve”, thuhet në njoftim. /Zëri