“Handikos” shpreh shqetësimin për vonimin e pajisjeve ndihmëse për personat me aftësi të kufizuara
Foto: Laura Hasani /Arkiv

“Handikos” shpreh shqetësimin për vonimin e pajisjeve ndihmëse për personat me aftësi të kufizuara

Shëndetësi June 02, 2025 - 20:26

 

HANDIKOS ka shprehur shqetësimin lidhur me vonesat në shpërndarjen e pajisjeve ndihmëse për personat me aftësi të kufizuara, konkretisht për personat me status paraplegjik dhe tetraplegjik.

Kjo organizatë ka kërkuar reagim të menjëhershëm nga Ministria e Shëndetësisë dhe SHSKUK-ja,raporton Zeri.info.

“Për vite me radhë, HANDIKOS, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, ka punuar në hartimin dhe miratimin e Udhëzimit Administrativ (QRK) nr. 11/2022, i cili përcakton listën dhe llojet e pajisjeve ndihmëse që do të ofrohen falas për personat me aftësi të kufizuara. Ky akt nënligjor bazohet në Ligjin për Statusin dhe të Drejtat e Personave Paraplegjik dhe Tetraplegjik, duke synuar përmirësimin e cilësisë së jetës për personat me aftësi të kufizuara përmes ofrimit të pajisjeve për lëvizje, parandalim dhe asistim

Aprovimit të këtij udhëzimi i ka paraprirë shpallja e vitit 2022 si Viti i Personave me Aftësi të Kufizuara në Republikën e Kosovës. Në kuadër të këtij përkushtimi, Qeveria kishte ndarë 6.4 milionë euro për furnizimin me pajisje ndihmëse, me planifikim që ky investim të realizohej brenda dy viteve. Për zbatimin e këtij procesi është përgjegjës Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK), i cili ka nënshkruar kontratë për furnizimin me pajisje, prej të cilave një numër i madh tashmë ndodhen nëpër depot e klinikave të SHSKUK-së”, thuhet në reagi.

Po ashtu, sipas kësaj ogranizate ka kaluar gati një vit që nga ardhja e këtyre pajisjeve, dhe ato ende nuk janë shpërndarë te përfituesit.

“ Veçanërisht shqetësues është fakti se një pjesë e këtyre pajisjeve kanë afat të kufizuar përdorimi, dhe ekziston rreziku që ato të dëmtohen ose të bëhen të papërdorshme nëse nuk shpërndahen në kohë. Kjo situatë jo vetëm që përbën humbje të investimit publik, por edhe përkeqëson më tej gjendjen e personave me aftësi të kufizuara, të cilët i kanë të domosdoshme këto pajisje për përfshirje dhe funksionim të pavarur në jetën e përditshme”, thuhet më tej.

Prandaj, HANDIKOS bën thirrje publike drejtuar SHSKUK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë që të ndërmarrin masa urgjente për të zhbllokuar këtë proces dhe për të filluar sa më parë shpërndarjen e pajisjeve ndihmëse, bazuar në një nga vendimet më të rëndësishme dhe më të mirëpritura për personat me aftësi me aftësi të kufizuara që ndonjëherë është marrë nga institucionet e Kosovës.

HANDIKOS mbetet e përkushtuar që të monitorojë këtë proces dhe të angazhohet në mënyrë aktive për realizimin e të drejtave dhe nevojave të personave me aftësi të kufizuara në Republikën e Kosovës./Zëri