
Fizioterapeutët: Kujdes nga mjekët alternativë, rrezikoni seriozisht shëndetin
Në Kosovë, mjekësia popullore po përhapet me shpejtësi, duke fituar besimin e shumë qytetarëve të dëshpëruar për një zgjidhje të shpejtë.
Çdo ditë dëgjohen rrëfime të njerëzve që kanë përjetuar zhgënjim e shpesh edhe përkeqësim të gjendjes shëndetësore, pas trajtimeve jo-shkencore.
Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për kujdes, praktikat alternative vazhdojnë të gjejnë vend në zemrat dhe xhepat e pacientëve.
Ekspertët e shëndetësisë japin alarmin: mos lejoni që trajtime të pakontrolluara dhe jo të certifikuara të zëvendësojnë ndihmën profesionale.
Në rastin e “Bio Mujës”, dhjetëra qytetarë kanë rrëfyer për mashtrime, premtime boshe dhe madje dëmtime shtesë shëndetësore.
Fizioterapeuti Fehmi Bislimi tregon se sëmundjet si migrena apo nervi shiatik nuk mund të shërohen me tym e kavanozë.
Këto kërkojnë trajtim të specializuar, të bazuar në prova shkencore.
Ai paralajmëron se, përveç dëmit që u bëhet qytetarëve, praktikat e mjekësisë popullore po ndikojnë negativisht edhe në punën profesionale të klinikave të fizioterapisë.
Nga ajo që pa kamera e “Kiks Kosova” në terren, në ambientet e Mujë Halitit nuk kishte as kuponë fiskalë dhe as ndonjë shenjë të arkës elektronike.
Por sipas Administratës Tatimore të Kosovës, situata zyrtarisht del ndryshe: biznesi “Bio Muja” është i regjistruar, paguan tatimet dhe është i pajisur me pajisje fiskale.
Ky institucion u bën thirrje qytetarëve që nëse nuk merrni kupon fiskal, ta raportojnë në Administratën Tatimore të Kosovës. /Klankosova