Konfirmohen 10 raste me fruth në gjashtë komuna, IKSHPK-ja apelon për vaksinim

Konfirmohen 10 raste me fruth në gjashtë komuna, IKSHPK-ja apelon për vaksinim

Shëndetësi May 19, 2025 - 13:46

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka konfirmuar se në Kosovë deri tani janë regjistruar 10 raste të fruthit në disa komuna.

Rastet janë regjistruar në Ferizaj, Shtime, Lipjan, Graçanicë, Fushë-Kosovë dhe Prishtinë.

Zyrtarja për informim në IKSHPK, Era Pireva, në një përgjigje për Telegrafin ka bërë të ditur se “mbulueshmëria me vaksinën MMR me dozën e parë për grup-moshën 1 deri në 2 vjeç është 89% për vitin 2024, ndërsa doza e dytë, e cila jepet për grup-moshën 6 deri në 7 vjeç, është 94%”.

Përveç vaksinimit të rregullt, autoritetet shëndetësore janë duke marrë masa shtesë për të identifikuar fëmijët e pavaksinuar.

“Është duke u bërë konfirmimi i statusit vaksinor për fëmijët 1-5 vjeç në të gjithë vendin, dhe janë duke u kontaktuar prindërit për të vaksinuar fëmijët që për arsye të ndryshme nuk e kanë marrë vaksinën me kohë”, sqaroi Pireva.

IKSHPK-ja ka theksuar se është duke vazhduar fushatën e ndërgjegjësimit për rëndësinë e vaksinimit dhe ka dërguar njoftime zyrtare te institucionet shëndetësore për të rritur vigjilencën në terren.

“Po vazhdojmë njoftimin e prindërve për situatën epidemiologjike me fruth dhe rëndësinë e vaksinimit. Gjithashtu, janë lëshuar shkresa zyrtare për institucionet shëndetësore të KPSH dhe SHSKUK-ja për ndjekjen e protokolleve të identifikimit dhe menaxhimit të rasteve”, ka deklaruar më tej Pireva.

Fruthi, një infeksion viral, i cili përhapet lehtësisht nga personi në person, mund të shkaktojë komplikacione serioze, veçanërisht te fëmijët e vegjël dhe në disa raste mund të jetë fatale.

Megjithatë, vaksina MMR është një mjet efektiv për të parandaluar këtë sëmundje dhe për të shmangur shpërthimet masive.

IKSHPK-ja u bën thirrje të gjithë prindërve të sigurojnë se fëmijët e tyre janë të vaksinuar në përputhje me kalendarin e vaksinimit.