
Në QKUK realizohen me sukses ndërhyrjet mini-invazive për trajtimin e Pectus Excavatum
Në Klinikën e Kirurgjisë Torakale, të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) janë realizuar me sukses ndërhyrje mini-invazive (procedura NUSS) për trajtimin e Pectus Excavatum, një deformim i murit të përparmë të kraharorit, te pacientë të moshës mbi 25-vjeçare.
Sipas njoftimit, për dy ditë janë kryer tri ndërhyrje të këtij lloji nën mbikëqyrjen dhe udhëheqjen profesionale të profesorit të mirënjohur ndërkombëtarisht, prof. ass. Tunç Laçin nga Stambolli i Turqisë, raporton Zeri.info.
“Kjo vizitë përbën një moment me rëndësi të veçantë për zhvillimin e kapaciteteve profesionale të stafit tonë. Përveç përfshirjes së tij të drejtpërdrejtë në sallën operative, prof. Laçini ofroi mbështetje për trajnimin e stafit mjekësor dhe ndarjen e përvojave klinike bashkëkohore, çka kontribuon drejtpërdrejt në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore brenda vendit”, thuhet në njoftim.
QKUK-ja thotë se me kryerjen e këtyre procedurave reduktohet nevoja që pacientët të kërkojnë trajtim jashtë vendit dhe tregon se sistemi shëndetësor në Kosovë po avancon drejt ofrimit të shërbimeve moderne, cilësore dhe të sigurta. /Zëri