
Teksas, përhapja e fruthit thekson rrezikun e hezitimit ndaj vaksinave
Në shtetin e Teksasit ka ditë që po përhapet sëmundja e fruthit. Fruthi, i cili ishte eliminuar që në vitin 2000 në Shtetet e Bashkuara, po prek sidomos fëmijet e pavaksinuar. Sekretari amerikan për shëndetin publik, Robert F. Kennedy Jr., një kundërshtar i vaksinave, u shpreh së fundmi mbi vlerat e vaksinës kundër fruthit. Megjithatë, ai nuk u sugjeroi njerëzve që ta bënë vaksinën, duke thënë se ai është “një vendim personal”. Këtë qëndrim po e mbajnë edhe udhëheqësit fetar në zonat ku është përhapur fruthi pasi besimitarët në zonat rurale të Teksasit besojnë se vendimarrja për çështjet shëndetësore i takon vetëm familjes.Fruthi, është përhapur në qytetin Seminola të Teksasit Perëndimor, duke prekur dhjetëra fëmijë. Megjithatë, në Kishën e qytetit, gati 400 besimtarë u mblodhën për meshën e së dielës. Të ulur afër njëri tjetrit, ata mbushën stolat.
Një vajzë e vogël në këtë grup besimtarësh ishte në mesin e atyre që u infektuan me sëmundjen shumë ngjitëse, tha prifti David Klassen.
Sipas tij, ajo është mirë. Ai ka dëgjuar se të paktën dy shkolla të të njejtit grup fetar janë mbyllur përkohësisht për t'u dezinfektuar.
Ai nuk është në dijeni nëse autoritetet e shëndetit publik kanë ofruar këshilla se çfarë duhet bërë, pasi numri i të sëmurëve nga fruthi është rritur në 146. Një fëmijë në moshë shkollore ka vdekur.
“Ne vendosëm të mos shkaktojmë panik. Kjo nuk do të thotë se duam të jemi të pakujdesshëm. Gjatë pandemisë kishim disa udhëzime të qarta nga qeveria. Ndërsa në këtë rast, ne nuk kemi marrë ndonjë drejtim të qartë”, tha zoti Klassen.
Ai gjithashtu nuk u ka kërkuar dhe as sugjeruar besimtarëve që t'i vaksinojnë fëmijët e tyre.
Fruthi është një sëmundje që Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur të zhdukur në vitin 2000. Megjithatë, ajo tani po përhapet në zonat rurale të Teksasit Perëndimor.
Prifti Klassen i përmbahet qasjes për vaksinat që është parim kyç për besimtarët e grupit të tij fetar (Menonite). Kryefamiljarët janë autoriteti më i lartë vendimmarrës dhe nuk jepen rekomandime nga jashtë familjes e as nuk preferohet të merren urdhëra nga qeveria se si të veprohet.
“Në këtë situatë të fruthit, sinqerisht mund t'ju them se nuk kemi ndërmarrë asnjë hap si kishë. Ne ua lamë në dorë nënave”, shtoi ai.
Krahas fruthit, në këtë rajon ka edhe një tjetër shpërthim: ai i keqinformimit për vaksinat, mosbesim ndaj zyrtarëve lokalë të shëndetit publik dhe frikë që autoriteti qeveritar do të dominojë mbi autonominë e familjes. Robert F. Kennedy Jr., zyrtari më i lartë shëndetësor i vendit dhe aktivist kundër vaksinave, fillimisht tha se përhapja e fruthit në Teksas “nuk ishte diçka e pazakontë”.
Më vonë, në një opinion në faqen e internetit të rrjetit amerikan “Fox News”, Sekretari Kennedy u shpreh për vlerën e vaksinës. Ai megjithatë nuk u bëri thirrje familjeve që ta merrnin atë, duke e quajtur këtë “një vendim personal”.
“A u besoj të gjitha vaksinave? Jo. Nuk jam i sigurt nëse ato janë gjithmonë në të mirën time. Unë nuk jam mjek, por e di që edhe Sekretari Kennedy nuk u beson vaksinave dhe ai është një njeri i arsimuar”, thotë prifti Klassen.
Në qarkun Lubbock, rret 128 kilometra në veri dhe aty ku është numri më i madh i të infektuarve me fruth, mbi 92 % e atyre që dërgohen në një kopsht për fëmijë janë të vaksinuar kundër fruthit, sipas Departamentit të Shërbimeve Shëndetësore të Teksasit. Kjo është më e ulët se pragu prej 95% që ekspertët thonë se nevojitet për të parandaluar përhapjen e fruthit. Në Qarkun Gaines, ku gjendet edhe qyteti Seminola, shkalla e vaksinimit kundër fruthit është pak mbi 90%. Vaksinat kërkohen për fëmijët përpara se të hyjnë në kopshtin e fëmijëve në shkollat publike në mbarë vendin. Shumë familje të grupit fetar Menonite nuk i dërgojnë fëmijët në shkollat publike.
Të gjithë fëmijët e dërguar me fruth në Spitalin e Fëmijëve ‘Covenant’ në qytetin Lubbock ishin të pavaksinuar, thanë zyrtarët javën e kaluar.
Qytetet e vogla të Teksasit Perëndimor mund të duken plotësisht të izoluara në hartë. Megjithatë, rajoni është i lidhur nga njerëzit e tij, të cilët udhëtojnë shpesh në distanca të gjata drejt dyqaneve ushqimore, spitaleve dhe objekteve të besimit fetar.
Macey Lane, 31 vjeç, nga qyteti Hobbs thotë se gjithë jetën ka qenë republikane me bindje të qartë konservatore. Ajo thotë se ka votuar për Presidentin Donald Trump, por është kundër heqjes së detyrimit për vaksinim.
Të gjithë fëmijët e zonjës Lane janë të vaksinuar.
“Vaksinat janë krijuar për të shpëtuar jetë. Pavarësisht nëse nuk janë perfekte, ndoshta të mirat që vijnë nga vaksinat janë më të mëdha se sa të këqijat. Por jo të gjithë do të pajtohen me këtë”, thotë ajo.
Në të gjithë rajonin, njerëzit shprehën kryesisht mbështetje për vaksinimin e fëmijëve. Megjithatë, ata janë më pak mbështetës ndaj vaksinave kundër COVID-19 dhe gripit.
“Ne normalisht nuk i bëjmë vaksinat e gripit. E luftojmë disi vetë atë. Por, për skenarë të mëdhenj si ky, jam shumë e lumtur që i bëmë vaksinat”, thotë zonja Lane.
Skepticizmi mbi vaksinat në Teksas gjithashtu është nxitur edhe nga ligjvënësit e shtetit, të cilët këtë vit paraqitën më shumë se 10 projektligje për të shfuqizuar detyrimin për t’u vaksinuar./VOA