
Dita Botërore e Obezitetit
Dita Botërore e Obezitetit u vendos për herë të parë në vitin 2015.
Objektivi kryesor është ai i gjetjes së një zgjidhjeje për krizën e obezitetit, rritja e vëmendjes, përmirësimi i politikave adresuar gjetjes së zgjidhjeve për trajtimin e obezitetit dhe parandalimin e tij.
Obeziteti përcaktohet nga Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) si “akumulim jonormal ose i tepërt i yndyrës e cila rrezikon shëndetin”. Kostoja ekonomike dhe sociale që i atribuohet obezitetit çdo vit është e konsiderueshme.
Të paktën 2.8 milionë njerëz vdesin çdo vit si rezultat i mbipeshës dhe obezitetit. Parandalimi i obezitetit kërkon bashkëpunim nga të gjithë anëtarët e komunitetit. Obeziteti është një nga shkaktarët kryesore të shumë sëmundjeve kronike duke përfshirë: sëmundjen e zemrës, e mëlçisë, diabetin, disa lloje kanceresh etj., raporton Instituti i Shëndetit Publik i Shqipërisë.
Obeziteti është rezultat i një çekuilibrimi midis kalorive që individi konsumon dhe kalorive që shpenzon. Mbipesha dhe obeziteti janë shkaktarë të më shumë vdekjeve, krahasuar me ato që vijnë nga kequshqyerja.
Gratë kanë më shumë të ngjarë të jenë obeze sesa burrat. Ndikimi mjedisor dhe shoqëror është një nga përcaktuesit më të rëndësishëm të zgjedhjes dietike të një individi.
Një dietë e shëndetshme e shoqëruar me aktivitet fizik siç është ecja ndihmon në parandalimin e mbipeshës. Sipas OBSH-së, në 2025-n, 2.7 miliardë njerëz në të gjithë botën do të vuajnë nga mbipesha dhe obeziteti.