
Ekspertët të shqetësuar nga përhapja e gripit të shpendëve në SHBA
Për herë të parë, një person në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vdiq si pasojë e infektimit me gripin e shpendëve. Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se rreziku i infeksionit për popullatën e përgjithshme mbetet i ulët, por siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Dora Mekouar, disa ekspertë të shëndetësisë po japin alarmin.
Personi i parë në Shtetet e Bashkuara që vdiq pasi u infektua me virusin e gripit të shpendëve, i njohur si H5N1, ishte mbi 65 vjeç, kishte probleme të tjera shëndetësore dhe ishte i ekspozuar ndaj shpendëve shtëpiakë dhe atyre të egër, sipas zyrtarëve shëndetësorë në shtetin e Luizianës. Që nga fillimi i vitit 2024, 66 njerëz janë infektuar me virusin H5N1 në Shtetet e Bashkuara.
“Kjo është me të vërtetë një epidemi e rëndë. Quhet grip i shpendëve, por prek edhe njerëzit. Kjo epidemi ka vrarë miliona kafshë të egra në Shtetet e Bashkuara, veçanërisht zogj mishngrënës dhe grabitqarë. Ata hanë zogjtë që ngordhin dhe më pas infektohen”, thotë Dr. Jim Keen nga Qendra për një Ekonomi Humane.
Gripi i shpendëve është përhapur në më shumë se 900 tufa lopësh në Shtetet e Bashkuara që nga marsi. Por Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se rreziku për popullatën e përgjithshme mbetet i ulët.
“Nuk qarkullon mes njerëzve, por po kërcen tek njerëzit e ekspozuar ndaj shpendëve ose gjedheve, dy llojet e grupeve ku ne po shohim pjesën më të madhe të lëvizjes së virusit nga kafsha te njeriu. Por ne nuk po shohim qarkullim të qëndrueshëm”, thotë Dr. Margaret Harris nga organizata Botërore e Shëndetësisë.
Jashtë Shteteve të Bashkuara, më shumë se 950 raste të gripit të shpendëve janë raportuar në 20 vitet e fundit. Në gjysmën e këtyre rasteve, pacientët kanë vdekur.
“Mendoj se është e pamundur të ekzagjerohet rreziku që paraqet gripi i shpendëve H5N1. Ky virus ka potencialin të krijojë një pandemi më të madhe se COVID-19", thotë Dr. Thomas Pool nga organizata Veprim për Mirëqenien e Kafshëve.
Zyrtarët amerikanë të shëndetësisë thonë se analizat sugjerojnë se virusi tek pacienti nga Luiziana, kishte pësuar mutacione ndërsa gjendja shëndetësore e pacientit po përkeqësohej.
Kjo po alarmon disa ekspertë të kujdesit shëndetësor, të cilët shqetësohen se një virus më vdekjeprurës mund të përhapet përfundimisht tek njerëzit.
“Për momentin kjo nuk paraqet një rrezik të madh për shëndetin e njeriut, përveç atyre që punojnë me shpendët. Por situata ndryshon kur virusi tek personat e infektuar fillon të pësojë mutacione dhe atëherë është tepër vonë për të bërë diçka”, thotë Dr. Thomas Pool nga organizata Veprim për Mirëqenien e Kafshëve.
“Pra, ky është rreziku. Nuk kemi të bëjmë me një problem statik, por një virus që mund të ndryshojë”, thotë Dr. Jim Keen nga Qendra për një Ekonomi Humane.
Veterinerët thonë se macet shtëpiake janë të ndjeshme ndaj gripit të shpendëve.
"Nëse keni një mace që mund ta mbani brenda dhe të shmangni kontaktin me zogjtë e egër, kjo mund të ndihmojë", thotë Dr. Thomas Pool.
Ekspertët gjithashtu thonë se nuk duhet të ketë shqetësime në lidhje me praninë e gripit të shpendëve në mishin e pulës dhe vezët e shitura në dyqane.
“Mishi i pulës dhe vezët e ziera nuk paraqesin rrezik për njerëzit. Pra, ato thjesht duhet të gatuhen”, thotë Dr. Jim Keen.
Ekspertët thonë se edhe qumështi është i sigurt, për sa kohë që është i pasterizuar.