![Vitia thotë se mbi 500 mijë euro janë investuar në renovimin e Klinikës së Oftalmologjisë](/uploads/zeri.info/images/2025/February/03/auto_475883535_18072963439682627_5064242423029005199_n1738592806.jpg)
Vitia thotë se mbi 500 mijë euro janë investuar në renovimin e Klinikës së Oftalmologjisë
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar se kanë përfunduar punimet për renovimin e Klinikës së Oftalmologjisë.
Ai theksoi se janë investuar mbi 500 mijë euro në pajisje të avancuara për këtë klinikë, shkruan Zeri.info.
Vitia ka përmendur edhe disa përmirësime të shërbimeve në këtë klinikë, duke theksuar se operimet në segmentin e pasmë të syve, në raport me vitin 2023, janë rritur 15% më shumë në 2024.
“Numri i referimeve është zvogëluar rreth 80%, nga rreth 500 raste në vit në më pak se 100 raste, me rreth 1.6 milionë euro kursime në vit. Mbi 6.4 milionë euro janë kursyer në 4 vjet për pacientët dhe nga arka e shtetit.
Është rritur numri i intervenimeve. Në raport me vitin 2023, në vitin 2024 kemi 504 operime të perdes së syve më shumë.
Operimet në segmentin e pasmë të syve, në raport me vitin 2023, janë rritur 15% më shumë në 2024.
Janë bërë 1272 aplikime intravitreale të Anti-VEGF më shumë sesa në vitin 2023.
Shfrytëzueshmëria e kapaciteteve të klinikës është rritur nga 77% në vitin 2023 në 97% në vitin 2024.
Kjo ka ndikuar që për shumicën e operimeve të eliminohen listat e pritjes apo të zvogëlohet numri i pacientëve në listat e pritjes, sidomos për operimin e perdes së syrit, e cila është përgjysmuar.
Kemi filluar dhe fazat e para të renovimit në Klinikën e ORL-së dhe po vazhdojmë klinikë për klinikë”, thuhet në njoftim. /Zëri