Gripi po e kalon pragun epidemik, IKSHPK-ja apel qytetarëve të vaksinohen
Foto: Laura Hasani

Gripi po e kalon pragun epidemik, IKSHPK-ja apel qytetarëve të vaksinohen

Shëndetësi January 23, 2025 - 14:24

Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) u bën thirrje qytetarëve të vaksinohen kundër gripit sezonal, ndërkohë që javën e fundit, sipas numrit të rasteve të raportuara, intensiteti i gripit është në aktivitetin e lartë të qarkullimit duke e kaluar pragun epidemik.

IKSHPK-ja thekson se me këtë është shtuar fluksi i qytetarëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në institucionet shëndetësore.

“Gripi sezonal është sëmundje akute infektive e cila te një numër i konsideruar i rasteve shkakton komplikime serioze shëndetësore, veçanërisht te fëmijët, të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike, ndërsa vaksinimi është mënyra më e mirë për të parandaluar gripin dhe reduktuar rrezikun. Duke qenë që sezoni i gripit zgjat edhe për disa muaj, IKSHPK u bën thirrje të gjithë qytetarëve pa dallim moshe që të vaksinohen si masë parandaluese, me theks të veçantë grupeve me prioritet si: Punëtorët shëndetësor; Gratë shtatzëna; Personat me sëmundje kronike dhe me imunitet të komprometuar; Personat mbi 65 vjeç; dhe Fëmijët e moshës nga 6 muaj deri në 5 vjeç me indikacione shëndetësore”, thuhet në njoftim.

IKSHPK-ja thekson se Ministria e Shëndetësisë ka siguruar për këtë sezon 85 000 doza të vaksinës dhe qytetarët mund të vaksinohen në secilën komunë, në qendrën më të afërt të Mjekësisë familjare.

IKSHPK-ja u bën thirrje gjithashtu qytetarëve të zbatojnë edhe masa të tjera parandaluese si:

Mbajtjen e higjienës personale;

Evitimin e kontakteve të afërta me individë të sëmurë;

Redukimin e vizitave të familjarëve te personat e hospitalizuar (SHSKUK, spitalet rajonale);

Evitimin e vendeve të mbyllura dhe të mbingarkuara me njerëz;

Ushqimin e shëndetshëm me shumë vitamina;

Aktivitet fizik dhe gjumë të mjaftueshëm;

Personat e sëmurë të qëndrojnë në shtëpi.

Konsultimi me mjekun për mjekimin me barna kundër gripit, të cilat duhet të merren vetëm me rekomandimin e mjekut. /Zëri