
Përmbajtja e rrezikshme pak e njohur, por që gjendet në shumë ushqime
Aminat biogjene në doza të larta në ushqime mund të shkaktojnë vdekje, prandaj kontrolli i nivelit të tyre është mjaft i rëndësishëm për konsumatorët.
Në lidhje me këtë temë, e cila në Kosovë është pak e njohur, ka folur profesoresha e Universitetit të Prishtinës, Kaltrina Berisha, e cila ishte e ftuar e kësaj të hënë në emision “Alert” me Granit Sokolajn në Radio Prishtina.
Berisha tregoi se në cilat ushqime gjenden më shpesh aminat biogjene.
“Aminat biogjene janë komponime që gjenden në formë natyrale në produkte ushqimore, kryesisht në produkte të fermentuara, në aspektin kimik janë komponime organike të azotit që kryesisht formohen si veprim i dekarboksidimit të aminoacideve”.
“Aminat biogjene gjenden në një numër të madh të produkteve ushqimore, si; pijet, djathërat, mishi, produktet e fermentuara, peshku dhe pijet që në kohën e fundviti i përdorim më shumë, siç janë verërat e birrat”, tha Berisha.
Përveç këtyre, ajo shpjegoi se Aminat biogjene janë shumë të pranishme edhe në disa produkte ushqimore, si ato nga përpunimi i mishit e që në Kosovë përdoren shumë.
“Aminat biogjene janë shumë të pranishme te produktet e ushqimit, si qebapët apo pleskavicat që në Kosovë përdoren shumë. Ushqimi duhet të përgatitet në temperatura të duhura dhe në kohën e duhur. Ne abuzojmë me procedurën e ushqimit, p.sh., kur jemi te mishi, kur e gatuajmë në fillim e ziemë dhe pastaj e pjekim, i nënshtrohemi disa herë procesit termik e ky është i dëmshëm në disa aspekte, e para vlerat ushqyese të atij produkti pothuajse humbin”, tha ajo.
Tutje, ligjëruesja e UP-së shtoi se shpeshherë ushqimit me produkte të shëndetshme i humbin vlerat për shkak të gatimit në mënyrën jo të duhur dhe këto na kushtojnë në shëndet.