Muaji i Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit, Kurtishi: Në dy vjetët e fundit mbi 50% e rasteve diagnostikohen në stadin e parë dhe të dytë
Foto: Laura Hasani

Muaji i Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit, Kurtishi: Në dy vjetët e fundit mbi 50% e rasteve diagnostikohen në stadin e parë dhe të dytë

Shëndetësi October 01, 2024 - 15:03

Me rastin e fillimit të Muajit Rozë për Ndërgjegjësimin për Kancerin e Gjirit, Ministria e Shëndetësisë ka lansuar fushatën ndërgjegjësuese me moton “Kancerin e gjirit e mposhtim së bashku”.

Në kuadër të kësaj fushate u bë thirrje ndaj grave që të bëjnë kontrolle dhe mamografi, në mënyrë që të zbulohet sa më herët sëmundja.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se kjo fushatë është bërë e përvitshme dhe se sipas tij po shënon rezultat sepse tani është rritur numri i grave që lajmërohen në stadin e parë dhe të dytë të sëmundjes së kancerit të gjirit.

Ai tha se gjatë këtij muaji do të ketë çdo ditë fushata ndërgjegjësimi me të gjitha institucionet e tjera, duke përfshirë edhe organizatat e ndryshme, raporton Telegrafi.

“Sot filloi zyrtarisht fushata kundër kancerit të gjirit, një fushatë që tani është bërë e përvitshme me organizime të ndryshme edhe nga Ministria e Shëndetësisë, por jo vetëm. Do të ketë një riorganizim edhe nga presidentja Osmani me ecjen e zakonshme në shesh për këtë çështje. Dhe do të ketë çdo ditë fushata ndërgjegjësimi me të gjitha institucionet tjera, përfshirë këtu edhe organizatat e ndryshme, sepse siç e theksuam është jashtëzakonisht e rëndësishme se në dy vitet e fundit ka shkuar mbi 52 për qind, rastet që zbulohen në stadin e parë dhe të dytë të kancerit të gjirit, që tregon se ndërgjegjësimi veç ka bërë punë, sepse vetëkontrollet dhe ekzaminimet me mamografi veçse kanë filluar të jenë pjesë e zakonshme që gratë po e bëjnë”, tha Vitia.

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Ilir Kurtishi, potencoi se në dy vjetët e fundit mbi 50 për qind e rasteve diagnostikohen në stadin e parë dhe të dytë të sëmundjes.

Ai shtoi se vite më parë rreth 70 për qind e grave janë lajmëruar në stad të avancuar të sëmundjes.

“Këto dy vite të fundit ne diagnostikojmë ose regjistrojmë në Klinikën e Onkologjisë mbi 52 për qind të rasteve në stadin e parë dhe të dytë të sëmundjes derisa tre vite më herët mbi 60 deri në 70 për qind e femrave që janë lajmëruar në Klinikën e Onkologjisë kanë qenë në stad të avancuar të sëmundjes dhe normalisht prognoza ka qenë e keqe”, potencoi Kurtishi.

Drejtoresha e Klinikës së Kirurgjisë Plastike në QKUK, Violeta Zatriqi u bëri thirrje të gjitha grave që kanë bërë amputimin e gjirit për shkak të kancerit, të shkojnë për konsultë në këtë klinikë për t’u operuar falas për rikonstruktim të gjirit.

“Të gjitha ato gra, ato heroina të cilat për shkak të sëmundjes është dashur të bëjnë amputimin e gjirit, është mundësia që të zhvillohet një rikonstruim. Ne qe 4 vjet kemi filluar këtë aktivitet dhe falë mbështetjes institucionale qe dy vite kemi realizuar një numër të madh të madh të operacioneve, pra kemi bërë rindërtimin e gjirit tek këto gra. Se sa është i rëndësishëm një organ e dinë më së miri këto paciente, sepse ato ndihen të sakatosura, inferiore në shoqëri”, u shpreh Zatriqi.

Ndërkaq, mesazhi i një nga të mbijetuarave nga kanceri i gjirit, Arnisa Osmani është që gratë të bëjnë kontrolle dhe melografinë.

Osmani njëkohësisht edhe drejtoreshë e organizatës joqeveritare “Have Hope”, tha se zbulimi i hershëm i sëmundjes shpëton jetë.

“Para gjashtë vjetëve jam diagnostikuar me kancer. Unë asnjëherë nuk e kam pranuar që jam e sëmurë prej kancerit. Gjithmonë kam thënë ‘po kam pasur kancer’, është larguar kanceri dhe tani mirë jam. Normal, kontrollet kanë vazhduar deri para 10 ditëve kur e mora lajmin vetëm jam krejt e pastër prej kancerit…Në kohën unë kur kam marrë terapi, nuk ka pasur probleme, ndoshta dy apo tri herë e kam blerë një bari. Në atë kohë, tani ka më shumë mungesa. Mesazhi për gratë është që në jetë apo në ditë le t’i ndajnë pesë minuta se nuk zgjat më shumë për ta bërë një kontroll, qoftë ajo me ultrazë apo me mamografi. Zbulimi i hershëm shpëton edhe jetë”, tha Osmani.